AKTUALITET, 12 Tetor 2024, 12:17

VIDEO/ Aktorja Luiza Xhuvani ju flet grave në “Tetorin Rozë”: Lufta është e vështirë, por ju jeni të forta

VIDEO/ Aktorja Luiza Xhuvani ju flet grave në “Tetorin

Në kuadër të Tetorit Rozë, si muaji i ndërgjegjsimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, në një mesazh sensibilizues ka reaguar dhe aktorja e madhe e skenës shqiptare Luiza Xhuvani.

Xhuvani nëpërmjet një video të publikuar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka treguar se qëndron në krah të çdo vajze dhe gruaje që po lufton me kancerin, ndërsa u kujton të gjithave se çdo ditë është një hap përpara.

“Për të gjitha vajzat e gratë që po luftojnë me kancerin e gjirit. Nuk duhet të harroni kurrë se çdo ditë është një hap përpara. Forca, kurajo dhe vendosmëria juaj janë më të fuqishme se çdo pengesë. Lufta është e vështirë, por ju jeni më të forta. Çdo ditë e kaluar çdo betejë e përballuar është një fitore. Ja vlen të luftosh!”, tha Xhuvani.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka shpallur muajin tetor si muajin e luftës kundër kancerit të gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje.

Ministria e Shëndetësisë vijon një fushatë të gjerë sensibilizuese për të nxitur sa më shumë kontrollet për diagnostikimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit. Në kuadër të këtij muaji, janë ofruar vizita falas në të gjithë rajonin e Shqipërisë, ndërsa mamografi falas në njësitë spitalore janë ofruar dhe për gratë që banojnë në zona rurale.