TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryebashkiaku i Tiranës dhe drejtuesi politik i qarkut Erion Veliaj e cilësoi mbresëlënës rezultatin e arritur nga PS në zgjedhjet e 14 majit.
Në një intervistë për Euronews, Veliaj tha se Meta dhe Berisha nuk kanë lidhje me realitetin pasi jetojnë fizikisht në vilat e tyre luksoze në Gjirin e Lalzit.
“Unë e thosha gjithmonë në fushatë. Këta janë dy njerëz që jetojnë fizikisht në Gjirin e Lalzit, që nuk kanë lidhje, pra janë në vilat e pishinat e tyre. Hipin në një makinë luksoze, vijnë në Tiranë për të mbjellë helmin dhe debat dhe nuk kanë lidhje me realitetin. Ata nuk i dinë të gjithë rrugicat ku është punuar, ata sigurisht nuk i besonin 40 shkollat sepse nuk kanë lidhje me realitetin. Ndërkohë zgjedhjet janë për njerëzit që jetojnë për realitetin, njerëzit që i çojnë fëmijët në çerdhe, kopshte, shkolla, që i çojnë tek Pazari i Ri, tek Liqeni, që i çojnë tek Kopshti Zoologjik. Kisha një besim që njerëzit e vërtetë, njerëzit që jetojnë në këtë qytet do jenë ata që do thonë fjalën e fundit”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se PS në këto zgjedhje ka konsoliduar votën e saj, ndërkohë që edhe vetë demokratët refuzuan të bëhen palë me Berishën kundër SHBA-ve.
“Unë besoj që këtu shembullin më të madh Partia Socialiste e mori në numrat e vet, ka konsoliduar votën e vet. Ajo që ndodhi dhe që ishte mbresëlënëse është se sa demokratë nuk pranuan në një palë votime që u përkthyen nga partia e tyre si një përgjigje ndaj SHBA për faktin që Saliu ka një hall dhe donte që të provonte që halli i tij është edhe halli i të tjerëve. Qartazi një pjesë e demokratëve thanë : Jo ky është halli yt personal, ti personalisht je non grata bashkëshortja, dy fëmijët e tu, pra jeni një familje non grata që mund të përfshini familjet tona në këtë sherr. Shumë demokratë të cilët e panë këtë si një ftesë në krushqi apo si dasmorë në dasmën e Saliut me Ilirin refuzuan të ishin pjesë e kësaj dasme dhe refuzuan që të pranonin të nënshtroheshin. Sot në Këshillin Bashkiak të Tiranës kemi kapur një tjetër rekord, jemi deri 34 mandate, në këtë fazë, pra jemi rritur edhe pak ndërkohë që PD është reduktuar në 15 mandate. Kjo do të thotë që nga 15 mandate vetëm 2 janë realisht të PD, pra të djathtë, të gjithë të tjerët janë të Ilir Metës. Mirë plaga e humbjes së kryetarit, por tani edhe kripa mbi plagë që i hidhet për votat e Ilir Metës në Këshill”, shtoi më tej Veliaj.
Veliaj u ndal dhe tek votimi në Kavajë ku tha se Kavaja iu dha shumicën socialistëve në Këshillin Bashkiak. Ai nënvizoi se ky qytet sistematikisht ka votuar djathtas, por në zgjedhjet e fundit vendosi që të votojë politikisht për PS dhe tjetër për kandidatin.
“Kavaja ka qenë një zonë elektorale e Sali Berishës në mos gaboj për 5 mandate të tij dhe ndërkohë që në vitet e fundit ka qenë një pendulum, herë majtas e herë djathtas. Kësaj here, sot morëm në mëngjes një lajm të mirë nga Kavaja. Ne kemi fituar Këshillin Bashkiak. Ne kemi 4 këshilltarë më shumë se sa koalicioni Bashkë Fitojmë, kështu që qartazi Kavaja pendulumin që e bënte një herë në dy vjet e bëri brenda një palë zgjedhjesh ku na dha besimin në Këshill Bashkiak, por ndërkohë 800 vetë mendojnë që Saliu e Iliri mund ta pastrojnë më mirë Kavajën, mund ta ndriçojnë më mirë, mund të bëjnë më shumë urbanistikë. Unë këtë e dyshoj, por duhet ta pranojmë verdiktin. 800 vetë në Kavajë bënë këtë diferencën për të thënë që duan të provojnë një kryetar tjetër ndërkohë që na dhanë masivisht besimin për Këshill Bashkiak. Qartazi në Kavajë mund të themi që kemi një barazim. Politikisht u votua PS, në terma praktikë duan të provojnë një kandidat tjetër. Ishte diçka që i druhesha sepse nuk kemi asnjë rast që Kavaja të ketë votuar dy herë të njëjtin kandidat për kryetar bashkie. Gjithmonë ka ndërruar dhe nëse kujtoni 6 zgjedhjet e fundit gjithmonë ka ndërruar kandidati. Është një qytet që sistematikisht ka votuar djathtas. Në zgjedhjet e fundit ka bërë kapërcime, por qartazi ka vend për ta konsoliduar Kavajën si një qytet që duhet të shkojë gjithmonë e më shumë majtas”, u shpreh Veliaj, teksa shtoi se PS ka korrur fitore të thellë në Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Rrogozhinë.