AKTUALITET, 17 Maj 2023, 14:13

Prokuroria nisi verifikim të thelluar, Kristian Shkreli: Nga Italia më dëbuan se isha pa dokumente

Prokuroria nisi verifikim të thelluar, Kristian Shkreli: Nga Italia më

Kristian Shkreli, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Vaut të Dejës, i cili fitoi në zgjedhjet e 14 majit, ka reaguar pasi Prokuroria ka nisur verifikimet pas ankimimit të pesë deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët pretendonin se Shkreli në vitin 2021, kur ka qenë kandidat për deputet nën siglën e PS, nuk ka deklaruar dëbimin e tij nga Italia në vitin 2007, në formularin e dekriminalizimit.

Vetë Shkreli shprehet se nga Italia është dëbuar pasi ka qenë pa dokumente. Ai shton se institucionet po kryejnë verifikimet e nevojshme dhe se do të marrin një vendim pas hetimit. 

"Nga Italia më përzunë sepse kam qenë pa dokumente, institucionet po bëjnë verfikimet,"- thotë Shkreli. 

Kristian Shkreli është vënë në "shënjestër" të Partisë Demokratike. Fituesi i Bashkisë së Vaut të Dejës, kandidati i Partisë Socialiste, mendohet se ka fshehur se një dënim nga Italia, të cilin e ka zbuluar vetëm në garën për kryetar Bashkie.

Më 25 prill, 15 deputete të PD, kanë kërkuar verifikimin e tij, pasi pretendojnë se në vitin 2021, kur ka qenë kandidat për deputet nën siglën e PS, nuk ka deklaruar dëbimin e tij nga Italia në vitin 2007, në formularin e dekriminalizimit.

Por në vitin 2023 ai ka deklaruar dëbimin, pa sqaruar më tej se për çfarë është marrë masa ndaj tij, e ashtu se përse e ka fshehur këtë vepër penale. Pas kërkesës së tyre, në Kuvendin e Shqipërisë ka mbërritur një shkresë nga Prokuroria e Përgjithshme, prej të cilës mësohet se Drejtoria e Dekriminalizimit, ka nisur verifikimin.