AKTUALITET, 5 Shtator 2025, 14:02

‘Vai, vai...ec te prokurori në Durazzo’, turisti që u dhunua në Durrës denoncon: Polici nuk më mori deklaratën

‘Vai, vai...ec te prokurori në Durazzo’, turisti që u

Dhunimi i një turisti rumun 36 vjeçar që po kalonte pushimet në Durrës, solli një reagim të policisë më 1 shtator, pas pretendimeve të tij, se efektivët nuk bënë asnjë veprim konkret mbi rastin.

Policia sqaroi zyrtarisht në fillim të javës se më 14 gusht, rreth orës 22.00, shtetasi austriak me kombësi rumune, Alexandru Cristian Dirnstorfer, u paraqit në stacionin e policisë Plazh, dhe kallëzoi se gjatë asaj dite gushti, rreth orës 15.30 ishte dhunuar nga 5 persona në lagjen numër 13 të Durrësit. Blutë thanë se kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe identifikuan dhe shoqëruan në polici, dy të mitur 17-vjeçarë për të cilët për shkak të moshës nisi hetimi në gjendje të lirë për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje”.  Hetimet vijojnë, njoftoi policia më 1 shtator, për të nxjerrë para përgjegjësisë të tjerë të implikuar në këtë rast.

Turisti kontaktoi me redaksinë e Shqiptarja.com duke dërguar një video nga momenti kur ka shkuar në polici dhe është përpjekur të bisedojë në gjuhën italiane me efektivin në stacionin e Plazhit. Ky i fundit i thotë se duhet të shkojë tek prokurori në Durrës, dhe vazhdimisht i thotë të largohet pasi nuk di italisht, duke folur në shqip dhe disa fjalë në italisht.

“Ky polic nga policia e plazhit, pasi më la të pres nga ora 10 e mëngjesit deri në mbrëmje, duke folur me të në italisht, në darkë, në vend që të më merrte deklaratën, më tha të shkoja”, na shkruan turisti në gjuhën shqipe, që thotë se e ka përshtatur me Google Translate.

“Turisti: Si jeni. Mund te flas me policin.

Polici: Jo.

Turisti: Më thanë që të prisja këtu.

Polici: Vai, Vai, ec, në Prokurori, jo këtu. Këtu s’ka njeri.

Turisti: Prokuroi më tha të vi këtu.

Efektivi: Prokurori në Durrës.

Turisti: Prokuroi më tha të vi këtu.

Efketivi: Nuk ka prokuror këtu, prokurori në Durazzo (Durrës). Vazhdo atje, no kuptoj. Nuk kuptoj.

Turisti: Prokurori më tha të vi këtu. Dua të flas me shefin tënd”, dëgjohet në bisedën mes turistit dhe efektivit.
Po ashtu, ai i dërgoi redaksisë sonë edhe foto që tregojnë gjendjen e tij nga dita kur është dhunuar.