AKTUALITET, 5 Shtator 2025, 13:45

Shkoi të merrte informacion te Drejtoria Kamëz-Vorë e Kadastrës, goditet gazetarja! Arrestohet 67-vjeçari, nën hetim 2 rojet

Shkoi të merrte informacion te Drejtoria Kamëz-Vorë e

Një 67-vjeçar është arrestuar nga policia sepse ka goditur me telefon në shpinë gazetaren Domenika Bajraktari, pasi kjo e fundit kishte shkuar të merrte informacion tek Drejtoria Vendore Kamëz-Vorë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me drejtues Agron Cerrin.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin F. M., 67 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit Q. L., 64 vjeç dhe H. B., 52 vjeç. Pasi ditën e djeshme, ka kallëzuar shtetasja D. B., gazetare, se është penguar gjatë kryerjes së detyrës dhe është goditur me telefon në shpinë nga shtetasi F. M.”,- njofton policia.

Po ashtu, janë vënë nën hetim 2 roje private të institucionet pasi kanë penguar kameramanin që shoqëronte Domerika Bajraktarin,për të kryer detyrën, si dhe i kanë dëmtuar kamerën gjatë filmimit.

“Ndërkohë, shtetasi E. E., kameramani që shoqëronte kallëzuesen, është penguar në kryerjen e detyrës, duke iu dëmtuar pjesërisht kamera gjatë filmimit nga rojet private shtetasit Q. L. dhe H. B.”,- njofton policia.