AKTUALITET, 13 Dhjetor 2024, 12:02

Akuzoi Ramën për lidhje me krimin, Berisha "fut" në PD “anëtarin e bandës Bajri"

Akuzoi Ramën për lidhje me krimin, Berisha "fut" në PD

Sali Berisha ka vërtetuar sot shprehjen e përbotshme “armiku i armikut tim është miku im”. Disa orë pasi gazetari Artan Hoxha dhe intervistë për Syri.tv, duke goditur ashpër Edi Ramën, mediat kanë shpërndarë një postim të dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi, ku renditen disa prej deklaratave të përmbledhura të gazetarit Hoxha, që i shkojnë për shtat edhe PD-së për të sulmuar qeverinë. 

Artan Hoxha dhe Sali Berisha kanë një armiqësi të deklaruar prej vitesh. Më 25 nëntor, ndërsa SPAK vendosi masat "detyrim paraqitje" ndaj dy gazetarëve Artan Hoxha dhe Elton Qyno, në kuadër të operacionit për goditjen e një grupi kriminal të Elbasanit, Berisha kërkoi heqjen e masës ndaj gazetarit Elton Qyno, duke pretenduar se është rrëmbyer nga Altin Dumani pasi ka denoncuar lidhjet e Ramës me krimin dhe shtoi se “kjo masë nuk ka lidhje me atë të Artan Hoxhës që sipas tij është anëtar i bandës Bajri".

Dhe më tej ai vijoi me akuzat ndaj Hoxhës: “Vendosja e masave njëkohësisht ndaj Elton Qynos, gazetarit guximtar dhe trim, me Artan Hoxhën, anëtar i damkosur i bandës së Bajrit të partisë, i paguar nga bandat, por i mbrojtur nga Altin Dumani, gjer së fundmi u detyrua të vendosë një masë arresti shtëpie, ndërkohë që informoi publikun se dokumente zyrtare faktojnë se Artan Hoxha ka shkelmuar detyrën e gazetarit dhe është bërë anëtar aktiv, i paguar i bandës Bajri-Gjoka të partisë”.

Prej natës së 21 janarit 2011, Hoxha e ka akuzuar Berishën se ka qenë në krye të zinxhirit komandues të Gardës që të urdhërojë vrasjen e 4 protestuesve te kryeministria, duke sjellë momentet nga vrasjet dhe së fundmi edhe audion ku garda urdhërohet të qëllohet në mish, dosje që ka shkuar në SPAK.

Në vitin 2018, gjatë një debati televiziv, Hoxha e akuzoi Berishën se ka qenë hjekësi i Azem Hajdarit të vrarë pranë selisë së PD-së në 12 shtator 1998, ndërsa Berisha ia ktheu se ka qenë anëtar i bandës së Haklajve të Tropojës.

Një vit më parë, Berisha replikoi me Hoxhën pas një deklarate televizive për një shumëkatëshe që po ndërtohet te ish-Ekspozita “Shqipëria Sot” në Tiranë: “…dua t’i them atij anëtarit të bandës së Bajrit, që deklaron se ajo kulla e Matës qenka e një të afërmi tim, unë kërkoj që nesër, nëse është e një të afërmi tim, ajo të konfiskohet”.

Dhe më poshtë përsëriti akuzën ndaj Hoxhës se kishte nxjerrë në pritë një të ri në Korçë që kishte denoncuar parcelat e drogës në vitin 2016: “Siç e kam akuzuar atë unë njëherë për hjekës në vrasje, se është vrarë djali 24-vjeçar në Zemblak, vetëm e vetëm pse denoncoi te ai, i keqpërdorur nga policia dhe të gjitha anët, denoncoi parcelat e drogës të oficerëve të policisë në Korçë dhe mori plumb pas koke në Zëmblak 24-vjeçari”.

Por sot, gjithçka është lënë pas, dhe Berisha, për inat të Ramës, po “rehabiliton” atë që e ka cilësuar prej vitesh, hjekës dhe anëtar bande, nga Bajri te Suel Çela.