TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shkarkimi i kryepolicit Ilir Proda ka sjellë në krye të kupolës përkohësisht, zëvendësin e tij, Sokol Bizhgën. Bizhga do të mbajë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit deri në zgjedhjen e kryepolicit të ri.
Sokol Bizhga përgjatë gjithë karrierës së tij në radhët e bluve ka mbajtur një sërë pozicionesh.
Prej dhjetorit të vitit 2022 ai mbante detyrën e zv.Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Bizhga ka lindur në vitin 1962, në Gjirokastër, dhe aktualisht banon në Tiranë. Në vitin 1990 ka marrë titullin “Oficer”, pas përfundimit të Shkollës së Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ai vjen nga një karrierë e gjatë, fillimisht si oficer krimesh para trazirave të vitit 1997 në zonën Vlorë-Sarandë, ku u tentua të vritej në aksion, kur mori përsipër një detyrë sa të rëndësishme aq edhe të vështirë, rimëkëmbjen e Komisariatit të Sarandës.
Pas një bisede telefonike me zv/ministrin e Brendshëm të aso kohe, Agim Shehun, shefi i krimeve të Vlorës, Sokol Bizhga, Myzafer Blushi, efektiv i Komisariatit të Vlorës, Eduart Alia, inspektor i Policisë së Rendit dhe Gjergj Mehmeti, komandanti i togës në Repartin e Policisë së Vlorës vendosën të udhëtonin drejt Sarandës, ku do të mbetej i vrarë në Qafën e Gjashtës Kapiteni Gjergj Mehmeti dhe tre të tjerët do përballeshin me një nga ditët më të tmerrshme të jetës së tyre.
Gjatë karrierës së tij, zoti Bizhga ka mbajtur detyrat:
-Nga viti 1990 deri në vitin 1992, Inspektor i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Vlorë;
-1992-1997 – Shef i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Vlorë;
-1997-1999 – Specialist në Drejtorinë e Policisë Kriminale, në MPB;
-Prill-nëntor 1999 – Zëvendësdrejtor në DVP Durrës;
-Dhjetor 1999-mars 2002 – Zëvendësdrejtor në DVP Tiranë;
-Prill 2002-prill 2004 – Drejtor i Policisë Kriminale;
-Prill 2004-shtator 2006 – Shef i degës mësimore në Akademinë e Policisë;
-Shtator 2006-nëntor 2009 – Shef i Sektorit të Krimeve të Rënda, në DVP Berat;
-Nëntor 2009-nëntor 2013 – Specialist për krimet e rënda, në Drejtorinë e Policisë Kriminale në Departamentin për Hetimin e Krimeve;
-Nëntor 2013-shtator 2013 – zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve, në Policinë e Shtetit;
-Shtator 2013-prill 2017 – Drejtor i planifikimit strategjik, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
-Prill 2017-dhjetor 2022 – Drejtor i Forcave Lëvizëse Operacionale, në Departamentin për Sigurinë Publike.