AKTUALITET, 27 Maj 2024, 12:58

Trafik armësh nga Kosova në Shqipëri, gjykata lë në burg katër të arrestuarit

Trafik armësh nga Kosova në Shqipëri, gjykata lë në

Gjykata e Tiranës ka caktuar këtë të hënë masën e sigurisë “arrest me burg” për katër personat me origjinë nga Kosova, që akuzohen për trafik armësh nga Kosova në Shqipëri. Në burg janë lënë B. K., B. Sh., E. Th., dhe M. K.

Katër shqiptarët e Kosovës u arrestuan më 24 maj të këtij viti, teksa janë kapur me arsenal armësh të cilat dyshohet se i merrnin në Serbi me qëllim shitjen brenda vendit tonë. Policia ka mundur të identifikoj raste të tjera të shitjes së pistoletave nga B. K., B. Sh., E. Th., dhe M. K., përmes këqyrjes së aparateve celular të tyre, ku janë gjetur komunikime mes tyre dhe personave të tjerë blerës të armëve.

Gjithashtu policia bëri me dije se janë sekuestruar 10 armë zjarri pistoleta, me krehra dhe municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë. Arrestimi i tyre u bë në vendparkimin e një terminali autobusësh, në Lundër, kjo sepse të rinjtë i transportonin armët me autobus. Katërshja kishte qëllim shitjen e armëve në vlerat 1500-3000 euro.