AKTUALITET, 27 Shkurt 2025, 13:33

Teatri i ri Kombëtar, Rama inspekton punimet: Do të kemi edhe një shesh tjetër në qendër të Tiranës! Godina e vjetër ishte nostalgji, por pa asnjë vlerë

Teatri i ri Kombëtar, Rama inspekton punimet: Do të kemi edhe një

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet e Teatrit Kombëtar, ku tha se brenda muajit tetor do të jetë ngritur karabinaja.

Kreu i qeverisë, i shoqëruar edhe nga nënkryetarja e bashkisë, e cila ka marrë detyrat e kryetares që pas arrestimit të Erion Veliajt, tha se qendra e Tiranës do të përfitojë edhe një shesh tjetër, që do jetë para dhe mbrapa Teatrit.

Rama tha se godina e vjetër ishte një nostalgji, por pa asnjë vlerë që ajo të vazhdonte të qëndronte ende aty.

I shoqëruar edhe nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe drejtuesit teknikë të punimeve, kreu i qeverisë u njoh me projektin, ecurinë e punimeve dhe afatet.

Të pranishmit e njohën kryeministrin edhe me detajin se parashikohet që punimet të shkojnë drejt fundit në muajin tetor dhe vendi të ketë një teatër të ri. Rama u njoh me arkitekturën, përbërjen, strukturën dhe ndarjen e saj në salla dhe sheshe.

“Deri në fund të tetorit kemi guckën e mbyllur dhe do të shikoni se cfarë do të kemi. Do të jetë teatri më i bukur kombëtar në të gjithë rajonin dhe do jetë ndër teatrot me të bukura kombëtar të ndërtuara pas Luftës së Dytë botërore se para luftës së dytë ka monumente që janë të pa konkurrueshme në formën e tyre, në Evropë.

Kështu që kjo është koha edhe pak durim dhe të gjithë ata të lënduarit me humbjen e asaj që kishim që ishte një godinë nostalgjie, por pa asnjë lloj vlere të qëndrueshme që të rrinte aty. Përveç teatrit kemi edhe një shesh që fiton qendra e Tiranës para dhe mbrapa. Kështu që durim dhe e mira është e gjitha përpara”, tha Rama.