TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka folur për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Në një intervistë televizive ai tha se, OSBE ka mandat për të ndihmuar institucionet shqiptare, për të përmirësuar sistemin zgjedhor.
“OSBE është një organizatë e gjerë. ODIHR ka një mandat për vëzhgimin e zgjedhjeve, OSBE nuk e ka një mandat të tillë. Ne kemi mandat për të ndihmuar institucionet shqiptare, për të përmirësuar sistemin zgjedhor, por nuk merremi në prezencë me vëzhgimin e zgjedhjeve. Mendoj që nuk është problem i vetëm në Shqipëri. Ka akoma probleme që vërtetë duhet të merret Shqipëria, ODIHR dhe ne si OSBE jemi këtu për t’ju ndihmuar”, tha ai.
Në lidhje me pretendimet e opozitës për zgjedhjet e 11 majit, të cilat i quan farsë elektorale, ambasadori i OSBE-së tha se fajin që rekomandimet e OSBE/ODIIHR nuk zbatohen, është i spektrit politik shqiptar.
“Mendoj që përgjigja e pyetjes ndodhet në raportin që është bërë publik dhe mund ta lexoni. Ky raport nuk është bërë për të hyrë në debatin politik të brendshëm. Si e përdorin aktorët politikë këtu është rregulli i lojës, është problem i tyre. Ne si organizatë, një raport të tillë e bëjmë për të ndihmuar, për të treguar çfarë problemesh kemi identifikuar, çfarë zgjedhjesh mund të përdoren për të rregulluar këto probleme. Ne punojmë duke mos hyrë në debatin politik të brendshëm”, tha ai.
“Raporti fillon duke thënë: Zgjedhjet janë organizuar në mënyrë shumë profesionale, duke respektuar pluralitetin e skenës politike por ka akoma problem siç është avantazhi i atyre kandidatëve që tashmë janë në pozicione të ndryshme”, tha ai.
“Dua t’ju them që me të vërtetë ky problem ekziston kudo ku, një kandidat është në post dhe ka një avantazh me kandidatët e tjerë që vijnë. Shpresoj që me rekomandimet e ODIHR, disa marra do të merren, psh legjislacioni si duhet të kufizohet përdorimi i administratës publike nga ata kandidatë që janë në pozicione të ndryshme”, tha ai.
Tarran theksoi se, ka punë për të bërë.
“Mua më duket që hapi i parë është bërë, krijimi i komisionit bipartizan për reformën zgjedhore dhe kanë kërkuar ndihmën tonë dhe sigurisht që do të ndihmojmë edhe për legjislacionin”, u shpreh ambasadori i OSBE.
I pyetur se e kujt është përgjegjësia që rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për Reformën Zgjedhore nuk zbatohen ose zbatohen pjesërisht, Tarran tha se, është faji i spektrit politik shqiptar.
“Edhe njëherë duke mos hyrë në debatin e brendshëm politik këto. Tani le të mos shikojmë mbrapa, por të shikojmë përpara. Të shpresojmë që ky komision që është krijuar do të funksionojë normalisht dhe ne jemi këtu për të ndihmuar dhe treguar shembullin e një vendi tjetër të suksesshëm. Të gjitha problemet me të cilat ju përballeni këtu, kanë ekzistuar dhe ekzistojnë edhe në vende të tjera, por ka edhe zgjidhje të këtyre problemeve”, tha ai.