AKTUALITET, 9 Mars 2025, 13:59

Takimi i Ramës me drejtuesit e qarqeve/ Në listat e mbyllura të PS do të jenë gra dhe të rinj, 4 kryebashkiakë duan të garojnë më 11 maj

Takimi i Ramës me drejtuesit e qarqeve/ Në listat e mbyllura të

Edi Rama, mbërriti sot në vilën qeveritare 30 në ish-Bllok për t'i dhënë formë skuadrës garuese të PS, në parlamentaret e 11 Majit. Serinë e takimeve e nisi me Blendi Klosin drejtues politik qarku Dibër dhe Emiriana Sakon të parën e PS për Durrësin.

Ky proces po mbahet hermetik brenda mureve të kësaj vile duke ia shtuar edhe më shumë ethet deputetëve aktualë në pritje të rikandidimit, e më së shumti atyre të cilët për herë të parë aspirojnë për një vend në listë.

"Top Channel" thotë se prej kohësh brenda PS diskutohet për një reformim të thellë nga Rama të grupit aktual parlamentar socialist ku me gjasë më shumë se 60% e tyre nuk do të jenë më.

Kjo do të thotë se nuk do të mungojë surprizat për të cilat shquhet dhe i kontrollon me fanatizëm vetëm Edi Rama. Një gjë është e sigurt dhe e konfirmuar një ditë më parë nga Edi Rama.

“Në listat e mbyllura do kemi djem, vajza dhe gra që janë forca e të resë, forca e gruas dhe forca e një Shqipërie që shikon përtej 2030. Në gjithë pjesën tjetër të skuadrës do të përfshijmë të gjitha energjitë, eksperiencat dhe burrat luftëtarë do të jenë aty për të shkuar dhe fituar në territor vota për PS-në”.

Ndërkohë lista finale e kandidatëve të PS që do ti shkojë KQZ-së do të jenë produktin i një përzierje të shumë faktorëve dhe proceseve të nisura brenda PS.

Një pjesë e kandidatëve do të vinë nga grupi aktual i PS. Me shumë interes pritet të zbulohet se sa prej 300 aplikantëve që kaluan fazën e parë në platformën Deputeti që Duam do të mbërrijnë foto-finishin e hyrë në listë.

Një komponent i rëndësishëm në listë do të jenë edhe ata kandidatë të cilët do të përzgjidhen nga diaspora të cilës PS gjatë katër muajve të fundit i ka kushtuar një vëmendje maksimale.

Gjithçka do të finalizohet me 12 Mars nga ku miratimin e propozimeve do ta vulosë kryesia.

Sopas Balkanweb, ndërsa në listën e mbyllur do të jenë gra dhe të rinj, 4 kryebashkiakë aktualë pritet që të kandidojnë për deputetë.

“Kryeministri Edi Rama sot zhvilloi takime me drejtuesit politikë të PS-së. Sot kryeministri ka nisur takime që në orën 9, duke folur me drejtuesit politikë të qarqeve. Blendi Klosi i ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë të qarkut Dibër. Më pas, është folur me Kumbaron, Becin, Sakon, Niko Peleshin, Bledi Çuçin. 4 kryebashkiakë kanë kërkuar që të jenë kandidatë për deputetë, Ervin Demo, Tërmet Peçi, Agron Malaj dhe kryetarja e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj.

Listat e mbyllura do jenë për gratë dhe të rinjtë ose që kanë jo më shumë se një mandat. Mbetet për t’u parë nëse takimet do vijojnë apo janë mbyllur. Mbeten ende drejtues të tjerë politikë, me të cilët Rama nuk ka folur ende. 12 marsi është dita e fundit, ku mund të dorëzohet lista e kandidatëve për deputetë. Në anën tjetër, edhe Kryesia e PD pritet që të mblidhet për kandidatët për deputetë”, raportoi Balkanweb.

Gjatë paradites Rama u takua me Blendi Klosin, drejtuesi politik i qarkut të Dibrës; Mirela Kumbaro, drejtuesja politike e qarkut të Gjirokastrës; Ulsi Manja drejtues politik i qarkut të Lezhës; Emirjana Sako, drejtuese politike e qarkut të Durrësit; Benet Beci, drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës; Bledi Çuçi, drejtues politik i qarkut të Vlorës dhe Niko Peleshi, drejtues politik i qarkut të Korçës.

Takimet do të vijojnë pasdite me  Belinda Ballukun, drejtuese politike e qarkut të Fierit; Eduard Shalsin, drejtues politik të qarkut të Kukësit; Ogerta Manastirliun dhe Elisa Spiropalin drejtuese të qarkut në Tiranë; Ervin Demo, drejtues politik i qarkut të Beratit dhe Arbjan Mazniku, drejtues politik i qarkut të Elbasanit.