AKTUALITET, 29 Mars 2022, 11:04

SPAK u vuri prangat, rolet e të arrestuarve të sotëm në aferën e inceneratorëve

SPAK u vuri prangat, rolet e të arrestuarve të sotëm në

Gjykata e Posaçme ka dhënë 9 masa sigurie në lidhje me aferën e inceneratorëve dhe policia ka nisur ekzekutimin e tyre. Në mesin e të arrestuarve është edhe Erjon Murataj.

Ky i fundit ka qenë anëtar i Komisioni Prokurimit Inceneratorit të Tiranës. Sipas vendimit të GJKKO, Murataj akuzohet për  “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Me profesion jurist, Erion Muarataj nuk është i panjohur për publikun. Ai njihet gjithashtu si aktivist dhe ka qenë më herët kandidat i Bindjes Demokratike për qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e kaluara.

I arrestuar gjithashtu është edhe Pëllumb Abeshi. Ky i fundit është vënë në pranga pasi ka mbajtur postin e Kryetarit të Komisionit të Dhënies me Koncesion.

Arenc Myrtezani, është një tjetër i arrestuar, ish-administrator i inceneratorit të Fierit. Sipas GJKKO ai akuzohet për  “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Në dëshminë e tij në komisionin hetimor mor vëmendje paga e tij që u komunikua nga anëtarët e opozitës, ku Myrtezani rezultonte me 900 mijë lekë të reja në muaj. Megjithatë, ai e mohoi një gjë të tillë.

“Seriozisht është rroga ime 9 milionë lekë aty? Shkoni te banka dhe konfirmoni rrogën time”, tha Myrtezani në dëshminë e tij.

I arrestuar është gjithashtu, Florian Muçaj, ish-anëtar i komisionit të prokurimit të koncesioneve.

Prangave nuk iu ka shpëtuar as Sabina Cenameri, sh-anëtaren e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Fierit. Ajo ishte e pranishme përpara Komisionit Hetimor për Inceneratorët duke shpërthyer në lot teksa pyetej nga deputetët e pranishëm në lidhje me rolin e saj në vendimin për dhënien e këtij koncesioni.

Po ashtu është prangosur, Etleva Kondi, ish-anëtare e komisionit të prokurimit të koncesioneve.