AKTUALITET, 20 Shkurt 2025, 22:46

“SPAK-u ka bërë historinë e drejtësisë”, Bushati debaton me Shehajn: Histori të keqe si Top Channel dhe Klan

“SPAK-u ka bërë historinë e drejtësisë”,

Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, replikoi me analistin Andi Bushati në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV për rolin e SPAK-ut. Ndërsa Shehaj deklaroi se SPAK-u ka bërë historinë e drejtësisë në këtë vend, sepse në 30 vite nuk është arrestuar kurrë krahu i djathtë i kryeministrit, Bushati tha se SPAK është si dy televizionet kombëtare që kanë një histori të keqe.

Pjesë nga biseda

Shehaj: Ka një debat shumë të madh në Perëndim se çfarë duhet të bëjë drejtësia dhe gjykatësit. Ka dhe nga ata që i akuzojnë si gjykatës militantë, që u japin prioritet çështjeve politike. Por ky është një debat shumë i madh.

Bushati: Prandaj bëmë SPAK. Krimin ordiner e dënonim.

Shehaj: SPAK-u mund të shkrihet nesër, por ai ka bërë historinë e drejtësisë në këtë vend. Në 30 vite nuk është arrestuar kurrë krahu i djathtë i kryeministrit.

Bushati: Ti e quan histori për mirë? Sepse edhe Top Channel dhe Klan kanë bërë historinë e televizioneve në Shqipëri, por është një histori e keqe, them unë.

Shehaj: Nëse ne e krahasojmë se çfarë kishte para vitit 1991, nuk besoj se Klan dhe Top-i kanë bërë media më keq se më përpara. 

Bushati: SPAK është si Top-i dhe Klani...

Shehaj: Ne mund të bëjmë krahasime sa të duash. Me Perëndimin nuk ka krahasim, apo me çfarë kemi ne në mendje, por duhet ta krahasojmë SPAK-un me çfarë kishim më parë. Nëse ne mendojmë se drejtësia do të jetë siç e kemi ne në mendje, drejtësia s’ka për të qenë kurrë mjaftueshëm i mirë. Diskutimi që po bëjmë prej javësh është që e ka bërë SPAK-u. Mendoj se debati që duhet të bëjmë është lufta mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë.