TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Hetimet e nisura në vitin 2022 për dy prej ngjarjeve më të rënda kriminale të viteve të fundit kanë përfunduar, dhe SPAK ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme dosjen voluminoze që përfshin 27 të pandehur. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për një grup të mirëstrukturuar kriminal që dyshohet se ka organizuar atentate, ka siguruar logjistikë për kryerjen e tyre dhe është përfshirë në një seri aktivitetesh të paligjshme – nga armëmbajtja e deri te trafiku i narkotikëve.
Në qendër të hetimit qëndrojnë dy ngjarje: atentati i 1 dhjetorit 2020 në Lezhë, ku u plagos rëndë Aleks Ndreka, dhe tentativa e disa javëve më parë në Tiranë për të ekzekutuar Durim Bamin, një emër i njohur për drejtësinë. SPAK pretendon se pas të dy operacioneve qëndron një rrjet që shtrihet mes Lezhës, Tiranës dhe zonave të tjera, me role të ndara, planifikim të detajuar dhe porosi që sipas dosjes vinin nga figura të njohura të botës së krimit dhe politikës.
Në krye të strukturës, sipas Prokurorisë, dyshohen të jenë ish-deputeti socialist Arben Ndoka dhe i shumëkërkuari Ervis Martinaj. Hetimet kanë nxjerrë në pah komunikime të koduara, lëvizje të dyshimta, përdorim të makinave të vjedhura dhe të djegura, por edhe mbështetje logjistike nga persona brenda dhe jashtë grupit të ngushtë.
Të akuzuarit kryesorë dhe veprat penale:
Arben Ndoka
– Tentativë vrasjeje ndaj Aleks Ndrekës
– Sigurim i kushteve për vrasjen e Durim Bamit
– Trafikimi i paligjshëm i kufijve
– Armëmbajtje pa leje
– Organizim dhe drejtim i grupit të strukturuar kriminal
Ervis Martinaj
– Tentativë vrasjeje ndaj Durim Bamit dhe Ervin Kodrës
– Porositje atentatesh ndaj disa personave
– Armëmbajtje pa leje
– Drejtim i një grupi të strukturuar kriminal
Pjesë e dosjes janë edhe individë të tjerë, të cilët Prokuroria i konsideron hallka të rëndësishme në funksionimin e grupit. Bëhet fjalë për persona që dyshohet se kanë siguruar armët, mjetet e përdorura në atentate, strehim apo informacione të nevojshme për lëvizjet e viktimave. Mes tyre përmenden Arian Tuku, Samuel Ndoka, Vinçens Tuku, Jozi Kraja, Aldo Avdyli, Oltion Zefi, Edson Jozëik, Kasandër Noga, Elson Reçi dhe dhjetëra të tjerë, të cilët akuzohen për rol aktiv në tentativa vrasjesh, trafik narkotikësh, organizim plantacionesh kanabisi dhe mbështetje operacionale.
Dosja përmban dëshmi, përgjime, pamje nga kamerat e sigurisë dhe prova të tjera që, sipas SPAK, dokumentojnë funksionimin e një grupi kriminal të strukturuar, që operonte për interesa të ndryshme dhe që kishte qasje në armatime, mjete të modifikuara dhe rrjet mbështetës në disa qytete.
Me dorëzimin e dosjes në gjykatë, pritet që çështja të shndërrohet në një nga proceset më të rëndësishme të viteve të fundit, jo vetëm për shkak të numrit të të pandehurve, por edhe për shkak të figurave që përfshihen dhe impactin që grupi dyshohet të ketë pasur në ekuilibrat e krimit të organizuar në vend. Prokuroria kërkon dënime të ashpra, ndërsa faza gjyqësore pritet të zbulojë edhe më shumë detaje mbi mënyrën se si u planifikuan dhe ekzekutuan atentatet.