TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Elbasanit la në burg edhe 29-vjeçarin nga Përrenjasi, Nevzat Spaho, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan mbrëmjen e 30 Nëntorit.
Elis Dine ra dakord me prokurorin Gjergji Ceka i cili kërkoi “Arrest me burg” për 29-vjeçarin i njohur për policinë si person me precedentë të theksuar kriminalë.
Ende janë të paqarta lidhjet e Spahos me biznesmenin nga Elbasani, por në gjurmët e tij çoi makina e cila u përdor në momentin e ngjarjes dhe më pas u dogj pranë fshatit Morakë të Librazhdit.
Më herët gjykata vendosi gjithashtu të lerë në burg Xhino Agon ortak i biznesmenit Mëhalla, gjithashtu i akuzuar si bashkëpunëtor në krim.
Dëshmitë e familjarëve të Mëhallës për marrëdhëniet shumë të mira familjare mes dy ortakëve duket se nuk e kanë bindur gjyqtarin Elis Dine.
Në masë sigurie “arrest me burg” gjykata la edhe 52-vjeçarin Kujtim Pisha, baba i dy fëmijëve, roje në objektin, pranë të cilit ndodhi ngjarja, i akuzuar për moskallëzim të krimit.
Nga ana tjetër policia vazhdon punën për arrestimin e dy personave të shpallur në kërkim po ashtu të dyshuar si bashkëpunëtorë në vrasje.
Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.
Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.
Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.
Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.