TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar për herë të parë një katalog me pasuritë e konfiskuara, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.
Në një njoftim për shtyp, AAPSK thekson se ky katalog përmban një listë të detajuar të pasurive të konfiskuara me vendim gjykate të formës së prerë, duke përfshirë informacion të plotë mbi llojin, vendndodhjen dhe statusin aktual të tyre.
Katalogu është publikuar në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, veçanërisht bazuar në Ligjin Nr. 34/2019 “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, i cili përcakton rregullat dhe procedurat për sekuestrimin, konfiskimin dhe administrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Qëllimi kryesor i këtij publikimi është të sigurojë informimin e plotë dhe të qartë të publikut dhe palëve të interesuara, duke forcuar besimin dhe integritetin në procesin e administrimit të pasurive të konfiskuara.
“Nisma për hartimin dhe publikimin e katalogut u ndërmor nga kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, e cila me emërimin e saj në detyrë, në tetor 2024, ngriti grupin e punës dhe urdhëroi realizimin e katalogut, që synon të rrisë transparencën dhe aksesin e publikut në informacionin mbi pasuritë e konfiskuara; të përmirësojë llogaridhënien në procesin e administrimit dhe përdorimit të këtyre pasurive; si edhe të nxisë bashkëpunimin dhe besimin midis institucioneve dhe qytetarëve”, theksohet në njoftimin për shtyp.
Gjithashtu, AAPSK është në proces të hartimit dhe publikimit të katalogut për pasuritë e sekuestruara, ndërkohë që po realizon një inventarizim të plotë të të gjithë databazës së pasurive nën administrim, me qëllim rritjen e mëtejshme të transparencës, eficiencës dhe miradministrimit të këtyre pasurive.
Katalogu i pasurive të konfiskuara është i disponueshëm për publikun në faqen zyrtare të Agjencisë dhe do të përditësohet periodikisht, për të reflektuar ndryshimet dhe zhvillimet e reja.