AKTUALITET, 18 Shkurt 2025, 15:58

Ulen humbjet e energjisë në rrjet/ ERE: Gjatë vitit 2024 humbjet në rrjet ishin 17.93 për qind

Ulen humbjet e energjisë në rrjet/ ERE: Gjatë vitit 2024 humbjet

Reduktohen humbjet e energjisë elektrike, të cilat krijohen nga vjedhjet ose amortizimi i rrjetit. Mungesa e reshjeve të shiut ka ndikuar në prodhimin e energjisë por treguesit e sektorit energjetik në vend janë më optimist. Sipas statistikave të Entit Rregullator të Energjisë rezulton se niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për  vitin 2024 rezultoi 17.93%, ose rreth  1 % më pak se përgjatë vitit 2023, ku humbjet ishin  rreth 19%.

Arritja e këtij targeti në uljen e humbjeve  vlerësohet mjaft ambicioz. Ky përmirësim i treguesve lidhet me ndërhyrjen në rrjet ku janë realizuar një sërë investimesh por edhe me  aksionet për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme nga OSHEE. Humbjet e energjisë në rrjet vijnë për dy arsye. E para lidhet me rrjetin e amortizuar, që konsiderohen si humbje teknike, ndërsa e dyta përfshin humbjet joteknike apo thënë ndryshe vjedhjet.

Edhe arkëtimet kanë pasur një ecuri pozitive gjatë vitit të kaluar. Reshjet e pakta ndërkohë kanë  pakësuar sasinë e prodhuar  të energjisë elektrike .Sipas të dhënave nga Enti Rregullator energjia e prodhuar gjatë vitit 2024  ishte 7,8 milionë Mwh, e prodhuar kryesisht nga hidrocentralet.

Po  vërehet gjithashtu edhe një rritje e ndjeshme e prodhimit të energjisë nga parqet Fotovoltaike të cilat prodhuan një sasi prej prej 489 mijë Mwh,  ose rreth 16% të prodhimit total.