AKTUALITET, 12 Qershor 2024, 22:04

"Si hidraulik që është, do të rregullojë çezmat e PE-së", Shpëtim Idrizi: Fredi Beleri me tre emra u shpërblye nga Greqia për tezat e helenizmit

"Si hidraulik që është, do të rregullojë

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në emisionin “Open” në News24, tha se na bën përshtypje se si një vend i BE-së mund të bjerrë standardet demokratike dhe europiane, siç është rasti i kandidimit të Fredi Belerit për eurodeputet.

"Na bën përshtypje sesi një vend i BE mund të bjerë në këtë mënyrë standardet njerëzore dhe politike. Të marrësh dhe ti afrosh qytetarëve grekë si përfaqësues të tyre në BE një njeri që ka tre emra, njeriun që është i dënuar nga drejtësia greke për armëmbajtje pa leje, njeriu që ka një dënim të formës së prerë deri në Strasburg për poshtërim të Shqipërisë dhe për dhunim të simboleve kombëtare dhe që është në burg për krime elektorale. Të marrësh standardin e këtij njeriu, përtej faktit që ka edhe një formim që të lë për të dëshiruar, sepse siç e ka shkruar edhe vetë është i informuar si hidraulik në një kurs që ka bërë një Kretë. Është një ndër paradokset më të mëdha".

Idrizi tha se Beleri ka një formim që le për të dashuruar, është hidraulik pas një kursi që ka bërë në Kretë, është i dënuar në Greqi, ndodhet në burg në Shqipëri, dhe mbi të gjitha një njeri që mban 3 emra.

“Fredi Beleri u shpërblye për tezat e helenizimit që ka përdorur, është personi që përdori flamurin e Vorio Epirit, që ka përdorur Himarën për zonë tensionesh dhe pikërisht nga këto ai u përdor dhe përdorjen ia shpërbleu”, tha Idrizi, duke shtuar se Beleri ka mbledhur votat e “Agimit të Artë”, apo ish-Agimit të Artë.

Idrizi tha se një njeri i dënuar nga vetë grekët apo ndodhet në burg në Shqipëri, nuk besoj se përfaqëson vlera. “Si hidraulik që është, besoj se tashmë Parlamenti Europian e ka të zgjidhur problemin e çezmave atje”, tha me ironi Idrizi.

Ai tha se qarqet më esktremiste greke nuk e kanë për herë të parë dërgimin në PE të njerëzve të ekstremit të djathtë.

“Ka një problem të madh me perceptimin tonë për shoqërinë greke. Greqia është një vend që ka kaluar në trauma të mëdha sociale, është një vend që ka edhe komuniste edhe parti të ekstremit të djathtë, një vend që e futën me zor në BE”, tha Idrizi.

Ai tha se një faj të madh ka edhe opozita shqiptare, një pjesë e saj, që e kandiduan Fredi Belerin për Bashkinë e Himarës.

“Beleri është atje sepse po mban në këmbë helenizmin dhe Vorio Epirin, ndaj dhe u shpërblye”, tha Idrizi.