AKTUALITET, 25 Shkurt 2024, 15:19

Si fluturuan lekët e inceneratorit me parapagime për punë që nuk u kryen asnjëherë dhe hua për ndërtim sere

Si fluturuan lekët e inceneratorit me parapagime për punë që
Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri si dhe landfilli i Tiranës

Në vitin 2022, kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës, Integrated Energy BV i parapagoi 1 miliardë e 167 milionë lekë ose rreth 11.3 milionë euro me kursin aktual, kompanisë ITS të Klodian Zotos. Paratë u paguan paradhënie për punë që kompania e Zotos do të kryente në landfillin e Tiranës. Por punimet nuk u kryen asnjëherë. Pak muaj pas pagesës së parave, saktësisht në dhjetor të vitit 2022, ITS e Zotos u vu nën sekuestro nga SPAK. Paratë ishin zhdukur.

Parapagimi i 11.3 milionë euro për kompaninë e Zotos ishte një nga valvulat më të mëdha të tretjes së parave të inceneratorit të Tiranës, por jo e vetmja. Kapitali.al publikon ekskluzivisht lëvizjet financiare të kompanisë koncesionare të inceneratorit të Tiranës, të cilat faktojnë zhdukjen e dhjetra milionë eurove nga kompania si parapagime, kredi të dhëna për kompani të tjera apo dhe debi të paarkëtuara.

Sipas bilancit, veç ITS-së, kompania Integrated Energy BV ka parapaguar 1.3 milionë euro shoqërinë De Mare, 670 mijë euro subjektin Hydros dhe rreth 370 mijë euro shoqërinë mëmë Geogenix. Në total, përmes parapagimeve për punime të cilat nuk u kryen asnjëherë u nxorrën nga shoqëria koncesionare, plot 13.6 milionë euro.

Hua dhe klering
Megjithatë ky i parapagimeve ishte vetëm njëri nga kanalet e nxjerrjes së parave jashtë kompanisë. Një tjetër kanal ishte ai i dhënies së huave për shoqëri të tjera, të lidhura me të njëjtit njerëz. Sipas bilancit, rezulton se shoqëria Integrated Energy i ka dhënë mbi 550 mije euro Elton Buallit. Paratë hua janë dhënë për serën e famshme , ngjitur me landfillin e Sharrës.

Elton Bualli është një punonjës i kompanive të Mërtirit dhe Zotos. Emri i tij u bë publik për herë të parë, ku rezultoi se kishte marrë mbi 300 mijë euro grant nga AZHBR si fonde të IPARD për ndërtimin e një serë ngjitur me landfillin e Sharrës. Kompania që kishte bërë aplikimin për grantin ishte Consulting SE Partners e Stela Gugalles. Pra xhirim parash brenda llojit.

Kanali i tretë i nxjerrjes së parave jashtë kompanisë ka qenë ai i debive të paarkëtuara. Sipas bilancit të Integrated Energy rezulton se kompania ka lënë mbi 12 milionë euro të paarkëtuara nga subjektet e tjera, kryesisht ndërtuesit, të cilët kanë depozitar dherat dhe inerte në landfill. Dyshohet se një pjesë e këtyre parave janë marrë në formën e kleringut si apartamente apo njësi biznesi në Tiranës nga njerëzit që drejtonin inceneratorin.

Si fluturuan lekët e inceneratorit me parapagime për punë që

Në total janë 26 milionë euro të tretura vetëm përmes këtyre formave, pjesa dërrmuese e të cilave ka zero shans për t’u arkëtuar tashmë që shoqëria është në administrim shtetëror. Rasti më domethënës është ai i parapagimit për ITS-në, para të cilat janë tashmë të parekuperueshme për shkak se kompania është e konfiskuar.

Lëmsh llogarish
Koncesioni i inceneratorit fantazmë të Tiranës i ka kushtuar buxhetit publik të taksapaguesve shqiptarë 7.5 miliardë lekë ose rreth 73 milionë euro nga dita e parë e hyrjes në fuqi të kontratës deri më sot. Të dhënat zyrtare nga thesari i shtetit tregojnë se për periudhën 2017-2018, bashkitë e qarkut Tiranë i paguan koncesionarit 977 milionë lekë si tarifë për depozitimin e mbetjeve. Ndërsa për periudhën 2019-2023, u paguan edhe 6.5 miliardë lekë të tjera.

Këto janë vetëm pagesat që janë bërë nga bashkitë e qarkut Tiranë dhe ajo e Durrësit, pa përfshirë të ardhura që koncesionari ka marrë nga ndërtuesit për depozitimin e dherave dhe inerteve. Kjo shumë nuk dihet saktësisht sa është, por besohet të jetë minimalisht mbi 30 milionë euro për të gjithë periudhën. Por edhe pse ka marrë mbi 100 milionë euro të ardhura, kompania ka realizuar sipas saj vetëm 30 milionë euro investime.

Pikëpyetja më e madhe në aferën e inceneratorëve, për të cilën as SPAK nuk ka dhënë përgjigje shteruese, ka qenë se ku shkuan paratë e inceneratorit. Gjatë intervistës për çim Pekën, Mirel Mërtiri deklaroi se shpenzimet totale të kryera nga kompania koncesionare në landfillin e Tiranës ishin 71 milionë euro. Sipas tij, veç 30 milionë eurove të investuara, kompania ka shpenzuar dhe mbi 40 milionë euro si kosto operative për funksionimin e përditshëm të landfillit.

Por shifrat e publikuara në bilancin e kompanisë japin një pamje më të qartë se ku shkuan paratë. Ato u nxorrën jashtë kompanisë nga të njëjtët njerëz që e kontrollonin atë për t’u zhdukur më pas në çanta rryshfetesh ose në llogari offshore jashtë Shqipërisë. /Kapitali.al