TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka nisur protesta e opozitës. Qytetarët janë mbledhur nga të gjitha pikat kryesore dhe i janë afruar Bulevardit, teksa policia është bërë gardh para Kryeministrisë.
Partia Demokratike, e mbështetur nga aleati i saj Partia e Lirisë ka thirrur shqiptarët sot në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 12:00 për të protestuar kundër qeverisë ‘Rama’. Ishte kryetari i PD-së, Sali Berisha ai që e njoftoi mbajtjen e kësaj proteste, ndërsa data u vendos pas konsultimit të tij me grupin parlamentar, ndërkohë që u përkrah dhe nga aleatët e tij.
Berisha tha se kjo do të jetë një protestë kundër Ramës, duke e cilësuar një revolucion demokratik që do të çojë sipas tij drejt dorëheqjes së kryeministrit.
“Dita me diell duket që në mëngjes!”, Meta: Ramën nuk e shpëton asgjë. Mesazhin sot e jep populli!
Ora 12:23- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë nga selia e Partisë së Lirisë dhe i është bashkuar protestuesve. Ai ka dhënë dhe një mesazh për qytetarët.
“Dita me diell duket që në mëngjes! Asgjë nuk i shpëton krimin dhe korruptuesin. Asgjë s’e shpëton. Mesazhin e sotëm e jep populli”, tha ai.
“Edi Rama është i rrëzuar. E di që është një fajtor dhe që nuk do t’i shpëtojë dot llogaridhënies. Është një fillim pakti. Është nëj ndryshim që do ndodhë me çdo çmim, në mënyrë që të mos i dëbojë Edi Rama fëmijët e shqiptarëve, por të ikë njëherë e mirë, një orë e më parë nga zyra e kryeministrit. Apeli im është të gjithë të dëgjojnë zërin e popullit”, tha Meta.
Protesta e opozitës/ Berisha del nga selia e PD dhe i drejtohet Bulevardit (Live)
Ora 12:22- Kreu i PD-së Sali Berisha ka lënë selinë e PD dhe i është drejtuar Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Me thirrjet kundër Edi Ramës dhe i shoqëruar nga qytetarë të shumtë, Berisha ka marshuar drejt Bulevardit, teksa ndryshe nga herët e tjera mediat nuk do të lejohen të jenë pranë tij.
“Protestoj si qytetare”, Kryemadhi: Fotot e vjetra nuk e shpëtojnë Ramën, as Ilir Meta e as Shkëlzen Ora Berisha nuk kanë paguar para për të korruptuar agjentin e FBI-së
12:15- Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi ka folur para nisjes së protestës për mediat. Ajo tha se ndodhet në shesh si qytetare dhe se ka parë të pranishme dhe shumë qytetarë që vijnë nga zona gri.
Sa i përket fotove të publikuara së fundi në media për cështjen “McGonigal”, Kryemadhi tha se “fotografitë e vjetra nuk e shpëtojnë Edi Ramën sepse as Ilir Meta, as Shkëlzen Berisha, as Sali Berisha nuk kanë paguar para për të korruptuar agjentin e FBI-së.”
“Sot pjesëmarrja do të jetë shumë e madhe. Nuk mendoj se do jenë vetëm mbështetësit e PD, do jenë dhe nga zona gri. Ajo çka kam parë sot, kam vënë re se pjesa më e lëkundur, ajo që është skeptike ndaj politikës do të dalë për të thënë se ne jemi këtu.
Nuk e di sa do të zgjasë sepse nuk jam pjesë e organizimit. Unë dal si qytetare, nuk dal për liderët politikë. Edhe ju duhet të dilni për familjet tuaja. Mënyra se si Edi Rama trajton me arrogancë shoqërinë shqiptare, që thotë unë po të jap rrogën ty, edhe pse i paguan me paratë e qytetarëve shqiptarë. Sot ka shumë arsye për të protestuar. Duhet të dalim të tregojmë se çdo gjë nuk është ajo që tregon Edi Rama. Mënyra se si largohet Edi Rama është e ndryshme.
Në SHBA Serwer më ka thënë se rruga juaj është e gjatë. Mendoj që protesta e studentëve është shembulli më i mirë, protesta e armëve kimike është shembulli i mirë. Pastaj hapat e tjerë mendoj që janë të ndryshme.
Më bëhet shumë qejfi që djali i hallës së Ilir Metës ka nxjerrë arkivin e 2013 ku Ilir Meta ishte në një takim me ambasadorin kinez.
Fotografitë e vjetra nuk e shpëtojnë Edi Ramën sepse as Ilir Meta, as Shkëlzen Berisha, as Sali Berisha nuk kanë paguar para për të korruptuar agjentin e FBI-së.
Ditë të shtune dhe ditë pushimi nuk ka protestë, ka manifestim. Protestë ka kur ne deputetët rrimë brenda në parlament dhe qytetarët jashtë dhe i kapim si miu në çark”, tha Kryemadhi.
Protesta e opozitës, njoftimi i ambasadës së SHBA për qytetarët amerikanë: Shmangni tubimet e mëdha! Monitoroni mediat dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve
Ora 11:28- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë iu bën thirrje shtetasve amerikanë të qëndrojnë larg protestës që pritet të mbahet nga opozita e bashkuar.
Në njoftimin e saj rutinë ambasada iu jep informacion shtetasve të saj se ku do të mbahet protesta duke i paralajmëruar se situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë Kryeministrisë. Kjo protestë ka potencialin të përhapet në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve”, njofton ambasada e SHBA.
“Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”, njofton ambasada.
“Rama demon i pushtetit”, kandidati i PD për Kamzën: Kjo qeveri i ka orët e numëruara
Ora 11:25- Arjan Hoxha, kandidat i PD për bashkinë e Kamzës pohoi pak para protestës se kjo qeveri i ka orët e numëruara.
Ai pohoi për News24 se Rama është demon i këtij pushteti.
“Kamza dhe Paskuqani të gjithë në protestë. Rama është demon i pushtetit. Kjo qeveri i ka orët e numëruara. Rakip Suli dhe ky po ashtu. Qytetarët do i japin përgjigjen e merituar kësaj qeverie.”, tha ai për gazetarin Mario Merhori.
“Vendi ka qenë kantier pune, sot është bërë azil pleqsh”, qytetarët: Në protestë jo për opozitën, por se Shqipëria po vidhet, Rama të japë dorëheqjen, ndryshe…
Ora 11:-3- Qytetarë të shumtë i janë përgjigjur sot thirrjes së opozitës për të protestuar.
Në sheshin “Skënderbej” janë mbledhur qytetarët nga Tirana dhe Veriu, teksa shumë prej tyre tregojnë për gazetarin Mario Merhori arsyet përse kanë dalë sot në protestë.
Njëri prej tyre tha se vendi ka qenë kantier pune dhe sot është azil pleqsh. Ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Kemi ardhur nga Sukthi për protestën. Vendin e ka mbuluar korrupsioni, krimi , papunësia. Të rinjtë po largohen. Pa të rinjtë nuk ka jetë, janë oksigjeni i një vendi. Prandaj kam ardhur të protestoj për të gjitha. Vendi ka qenë kantier pune, sot është bërë azil pleqsh”, tha një qytetar.
“Kemi ardhur në protestë jo se na thirri opozita, por se Shqipëria po vidhet. Po shkojnë të gjitha lekët te kriminelët, të rusët, te serbët, jo te populli shqiptar. Ndaj i bëj thirrje popullit shqiptar të dalë të protestojë, jo për partitë, por se po na merr lekët tona. Të protestojmë jo një ditë. T’i japim tre ditë afat kryeministrit, të japë dorëheqjen nëse nuk e jep ta gjejmë në vrimë të miut. Gjykata t’i japë vulën PD-së. SPAK të deklarojë se kush është fajtori në çështjen e atij amerikanit me Edi Ramën. Fëmijët na i morën, na i çuan nëpër botë, të na i shfrytëzojë bota. Ne kemi ngelur pleq e plaka këtu”, u shpreh një tjetër.
Ora 10:45- Pak na ndan nga protesta e opozitës sot në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
Gazetari Osman Stafa raportoi në një lidhje live për News24 se kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ndodhet aktualisht në selinë blu, ndërsa ka shkuar në zyrën e tij rreth orës 10:00 dhe pritet që të dalë prej aty rreth orës 12.
Ndërkohë, para selisë së PD-së janë mbledhur simpatizantë demokratë, ndërsa dëgjohen herë pas here teksa lëshojnë thirrje kundër kryeministrit Rama. Siç shihet nga pamjet, simpatizantët mbajnë në duar flamuj të SHBA-ve, ato kuq e zi dhe ato të PD-së.
Aksioni opozitar për këtë protestë erdhi pas zhvillimeve të fundit politike në vend dhe botë, sa i takon çështjes McGonigal dhe lidhjeve të tij me kryeministrin Rama. Javët e fundit debatet në Kuvend kanë qenë të ashpra, gjë që ka sjell dhe përjashtimin e 11 deputetëve të PD nga seancat plenare. Nga ato çka u transmetuan dje, mësohet se në protestë do të ketë fjalime nga figura politike të opozitës, ashtu si për çdo herë, por edhe mesazhe nga pjesëmarrësit dhe simpatizantët e tyre. Një tjetër të veçantë që prite të ketë kjo protestë është fakti se grupi i Alibeajt do t’i bashkohen kolegëve të tyre. Ky fakt u konfirmua nga deputeti Gazment Bardhi gjatë një bisede televizive. Dje në një konferencë për mediat Berisha iu bëri thirrje policisë dhe SHISH që të kenë kujdes qytetarët, pasi nëse dikush prej tyre do të lëndohet, do të quhet i persekutuar politik, ndërsa shtoi se persekutorët do përgjigjen edhe pas 30 vitesh.
“Paralajmëroj policinë që të mbajë qëndrimin korret. Çdo protestues i lënduar do konsiderohet i persekutuar politik. Persekutori do përgjigjet dhe pas 30 vitesh.”, tha ai.
Sakaq protesta e opozitës, mesloganin “Shqipërisë i dalim Zot” ka vënë në lëvizje policinë, e cila më herët njoftoi se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.