TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Aurela Anastasi, profesore e të drejtës kushtetuese ngre shqetësimin se qeveria dhe parlamenti kanë dështuar në bërjen dhe miratimin e një ligji për gjendjen e jashtëzakonshme që e kanë detyrim kushtetues dhe që miratohet me një shumicë të cilësuar prej 3/5 e anëtarëve të kuvendit.
“Që nga viti 1998 e deri më sot kur kjo kushtetutë hyri në fuqi, Shqipëria nuk ka miratuar një ligj të tillë dhe nuk ka pasur ndonjë propozim për një ligj të tillë” shkruan në analizën e saj profesoresha Aurela Anastasi.
“Heshtja për këtë nismë ligjore sjell paqartësi se cilat janë aspektet e gjendjes së jashtëzakonshme që duhet të rregullonte ky ligj. Nga konteksti, ai i referohet vetëm situatës së rrezikimit për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike. Situatat e emergjencës për shkak të fatkeqësisë natyrore, kanë një bazë ligjore të vendosur paraprakisht, përmes ligjeve të posaçme, sipas fushave.
Megjithatë, pavarësisht nga ky pluralitet ligjesh të posacme për emergjencat natyrore, një rregullim i përgjithshëm i organizimit dhe funksionimit të institucioneve është parashikuar në ligjin “Për mbrojtjen civile”.
Ky i fundit ka një natyrë të përgjithshme dhe aktualisht mund të konsiderohet si një rregullator i kodifikuar për të gjitha emergjencat në kuptimin administrativ të fjalës. Por për shkak të vecorive specifike, ka dhe një sërë ligjesh që parashikojnë masa të posaçme. Të tilla janë ato për mbrojtjen nga përhapja e sëmundjeve dhe infeksioneve që rregullojnë marrëdhëniet e krijuara në varësi të situatës së emergjencës” shkruan Aurela Anastasi në punimin e saj.
Por dhe në këto raste, sipas profesores, ka një paqartësi për kufirin midis zbatimit të drejtëpërdrejtë të kushtetutës dhe zbatimit të ligjeve të posacme.
“Masat që u morën për përballimin e pasojave të tërmetit shfaqën dilemën nëse duhet të vepronte “gjendja e fatkeqësisë natyrore” si një regjim juridiko-kushtetues, apo “emergjenca civile” si një regjim juridiko-administrativ. Të dyja këto situata trajtohen në mënyrë të pavarur në aktet përkatëse. Një konkurrencë e tillë ndodh edhe midis Kushtetutës dhe ligjeve për mbrojtjen nga sëmundjet infektive.
Psh, disa masa kufizuese në rastin e pandemisë së COVID-19 u morën nga qeveria shqipare përpara shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Kjo e fundit u shpall në 24 mars 2020, ndërsa urdhëri i parë që shpalli gjendjen e pandemisë daton në 11 mars 2020”, shkruan Anastasi që evidenton se në Kosovë, një çështje e tillë mbërriti për debat edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Një ndër arsyet pse po debatojnë juristët është nëse masat e ndërmarra nga qeveritë për kufizimin e lëvizjes në atë kohë, duhet të prevalonin mbi aspektet e kushtetutës për lëvizjen e lirë të njerëzve.
Në rastin e Shqipërisë Gjykata kushtetuese u fut në lëvizje pas kërkesës për shfuqizim të amendamenteve të Kodit Penal që sansiononin përgjegjësitë penale për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse. Ndërkohë që ka theksuar se cilësia e ligjit linte shumë pëtr të dëshiruar.
Zonja Anastasi i ka analizuar gjithë këto çështje duke iu referuar dy ngjarjeve: tërmetit shkatërrues dhe vdekjeprurës të tërmetit 2019, që u pasua menjëherë më pas me situatën e mbylljes prej pandemisë COVID-19.
“Parimet kushtetuese gjatë masave të jashtëzakonshme janë garancitë themelore për mbrojtjen e Shtetit të së Drejtës përgjatë tyre. Në situatat e jashtëzakonshme, prioritetet dhe balancat e qeverisjes zhvendosen, për shkak të nevojave specifike të menaxhimit të situatës dhe shmangies së pasojave të krijuara. Kjo mund të sjellë deformime në respektimin e parimeve të Shtetit të së Drejtës. Ky punim synon të analizojë parimet kushtetuese që përbëjnë garancitë për mbrojtjen e Shtetit të së Drejtës në këto periudha.
Përmes metodave empirike dhe krahasimore, ai shqyrton përvojën shqiptare në lidhje me standardet që burojnë nga aktet ndërkombëtare dhe me përvojat e vendeve të tjera, për të nxjerrë mësime të vlefshme. Duke mos qenë në gjendje të analizojë të gjitha aspektet që lidhen me sundimin e ligjit, punimi fokusohet në çështjet e parimeve të Kushtetutës dhe të zbatimit të saj” thuhet në abstraktin e këtij punimi.