AKTUALITET, 21 Shtator 2022, 20:39

Shqipëria reagon për urdhrin e Putinit për mobilizimin ushtarak dhe referendumet: Lëvizje të dëshpëruara nga ana e Rusisë

Shqipëria reagon për urdhrin e Putinit për mobilizimin ushtarak

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pas deklaratës së presidenti rus, Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm të ushtrisë ruse dhe për referendumet për të aneksuar rajonet ukrainase në territorin rus.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Xhaçka dënon referendumet ruse dhe mobilizimet e pjesshme ushtarake, duke i cilësuar të rreme.

Xhaçka thotë se lëvizjes ruse janë lëvizje të dëshpëruara nga ana e Rusisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin,  nënshkroi sot  një dekret për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi, që nënkupton thirrjen nën armë të 300 mijë rezervistëve. Gjatë një fjalimi drejtuar kombit, shefi i Kremlinit tha se ky vendim ishte i nevojshëm për të garantuar sovranitetin tokësor dhe sigurinë e popullit.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mobilizimi i pjesshëm do të përfshijë rreth 300 mijë trupa rezervë.Vendimi i Kremlinit vjen 7 muaj pas nisjes së agresionit në Ukrainë, ndërsa  Moska ka humbur terren në fushën e betejës.

Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në “shantazh bërthamor” dhe pretendoi – pa ofruar asnjë provë – se “përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s kanë bërë deklarata” për “mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë”.

Fjalimi televiziv i udhëheqësit rus drejtuar kombit, vjen një ditë pasi rajonet e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore, njoftuan planet për të mbajtur referendume për t’u bërë pjesë e Rusisë. Përpjekjet e mbështetura nga Kremlini për të marrë katër rajone mund të krijojnë rrethanat që Moska të përshkallëzojë luftën pas sukseseve të Ukrainës. Referendumet do të fillojnë të premten në rajonet e Luhanskut, Khersonit dhe rajonet pjesërisht të kontrolluara nga Rusia të Zaporizhias dhe Donetskut.