AKTUALITET, 21 Shtator 2022, 17:39

Rama publikon fotot nga Nju Jorku: Në Harvard Club për të diskutuar mbi sfidat dhe përgjigjet shumëpalëshe për paqen

Rama publikon fotot nga Nju Jorku: Në Harvard Club për të

Në Nju Jork, SHBA, vijojnë eventet në kuadër të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një prej takimeve të nivelit të lartë, me krerë të shteteve dhe qeverive, ku u diskutua ndër të tjera për aktualitetin në Ukrainë, situatën energjetike dhe sulmet kibernetike, mes të cilëve edhe sulmet e shumëfishta ndaj Shqipërisë.

"New York - Në Harvard Club për tryezën e diskutimit mbi sfidat dhe përgjigjet shumëpalëshe për paqen, sigurinë dhe krizën energjetike",- shkroi Rama.

Kryeministri Rama bëri një panoramë të situatës së përgjithshme ku informoi se së fundmi sistemet digjitale të qeverisë shqiptare u sulmuan nga Republika Islamike e Iranit, përfundim ky i arritur pas një ekspertize të detajuar të skuadrës Microsoft dhe skuadrës së agjencive të specializuara amerikane.

Për këtë, arsye shpjegoi kryeministri u ndërprenë në mënyrë të menjëhershme marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Kryeministri tha ndër të tjera se i gjithë rajoni po përballet me sulme të kësaj natyre, përfshi këtu Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Rama ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës, ndërsa sa i takon diskutimeve mbi krizën energjetike në shkallë globale, kryeministri theksoi se Shqipëria nuk varet nga gazi rus por bazohet 100 % në energjinë e burimeve hidrike.