AKTUALITET, 17 Qershor 2025, 19:32

"Shqipëria mbetet e përkushtuar për drejtësi efikase dhe të besueshme", Manja takon Presidentin e Eurojust: Skuadrat e përbashkëta hetimore, model suksesi

"Shqipëria mbetet e përkushtuar për drejtësi efikase

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka pritur në një takim zyrtar Presidentin e Eurojust, Michael Schmid. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Manja ka ndarë disa imazhe nga takimi. Ai thotë se Schmid është një mik i Shqipërisë dhe një partner i çmuar në forcimin e drejtësisë ndërkombëtare. Gjithashtu ai ka theksuar vlerësimin që gëzon Shqipëria në Eurojust si një partnere serioze, efikase dhe aktive.

Në fokus të diskutimeve ishin Skuadrat e Përbashkëta Hetimore (JITs), të cilat po rezultojnë si një model i suksesshëm në hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar transnacional, veçanërisht në bashkëpunim me SPAK dhe autoritete partnere në Europë dhe Amerikën Latine.

"Sot në Ministrinë e Drejtësisë pata kënaqësinë të pres Presidentin e Eurojust, z. Michael Schmid – një mik i Shqipërisë dhe partner i çmuar në forcimin e drejtësisë ndërkombëtare. Diskutuam mbi bashkëpunimin e shkëlqyer me Eurojust, ku Shqipëria vlerësohet si një partnere serioze, efikase dhe aktive në fushën e ndihmës së ndërsjellë juridike.

U ndalëm veçanërisht te Skuadrat e Përbashkëta Hetimore – një model suksesi në bashkëpunimin mes SPAK dhe autoriteteve partnere në Europë dhe Amerikën Latine, me rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar transnacional. Shqipëria mbetet e përkushtuar në rrugën e saj europiane, duke ndërtuar drejtësi efikase dhe të besueshme për qytetarët e saj dhe për partnerët ndërkombëtarë", shkruan Manja.