TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministria e Financave bën të ditur se për periudhën janar-maj 2025 të ardhurat totale arritën në 305.92 miliardë lekë, duke realizuar 100.2 për qind të planit të parashikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë mbledhur 18.7 miliardë lekë më shumë, që përfaqëson një rritje prej 6.5 për qind me bazë vjetore. Kjo shumë përbën 40.4 për qind të planit vjetor të të ardhurave.
Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat u realizuan në nivelin 203.4 miliardë lekë, duke tejkaluar planin e periudhës me 0.8 për qind dhe duke shënuar një rritje vjetore prej 10.8 për qind. Në këtë total, të ardhurat doganore nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare kapën vlerën e 92.7 miliardë lekëve, që përfaqëson një rritje prej 3.3 për qind krahasuar me janar-majin e vitit 2024.
Tatimi mbi fitimin solli 28.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 3.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tatimi mbi të ardhurat personale u realizua në 34.1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej 27.2 për qind me bazë vjetore dhe 15.1 për qind më shumë sesa plani për periudhën.
Shpenzimet publike për pesëmujorin arritën në 265.52 miliardë lekë, që përbën 95.4 për qind të planit të parashikuar për këtë periudhë dhe një rritje prej 12.1 për qind ose 28.6 miliardë lekë më shumë krahasuar me një vit më parë. Nga këto, shpenzimet korente ishin 243.42 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12.6 për qind ose 27.3 miliardë lekë më shumë, ndërsa shpenzimet kapitale u realizuan në 21.23 miliardë lekë, që është 2.2 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Suficiti buxhetor për periudhën janar-maj 2025 rezultoi në 40.41 miliardë lekë, që është 9.9 miliardë lekë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke shënuar një rënie prej 19.7 për qind.