AKTUALITET, 28 Maj 2026, 14:19

Shqipëria bën hapa para në transparencën fiskale, ngjitet me 26 pozicione në indeksin ndërkombëtar GTETI

Shqipëria bën hapa para në transparencën fiskale, ngjitet me

Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme në indeksin ndërkombëtar të transparencës së shpenzimeve tatimore (GTETI v.2.1), duke u renditur në vendin e 48-të mes 116 vendeve të vlerësuara në mbarë botën.

Vendi ynë është vlerësuar Indeksi Global i Transparencës së Shpenzimeve Tatimore me 51.73 pikë, duke u ngjitur me 26 pozicione, nga vendi i 74-t që mbante më parë. Ky vlerësim  konfirmon progresin e vendit në forcimin e financave publike dhe rritjen e llogaridhënies fiskale sipas standardeve europiane.

Përmes një deklarate, Ministria e Financave ka përshëndetur këtë rezultat, duke e cilësuar si tregues të përkushtimit për ndërtimin e politikave fiskale më efikase. Ministria bëri me dije se do të vijojë puna për konsolidimin e mëtejshëm të analizave, me synim që çdo përjashtim fiskal të jetë transparent dhe në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, duke mbështetur njëkohësisht objektivin strategjik për afrimin me praktikat më të mira të Bashkimit Europian. Indeksi Global i Transparencës së Shpenzimeve Tatimore bazohet në pesë dimensione: disponueshmëria publike e informacionit, kuadri institucional, metodologjia, cilësia e të dhënave dhe vlerësimi i ndikimit ekonomik.