AKTUALITET, 28 Maj 2026, 10:48

Detaje/ Plagosja e 34-vjeçarit në Tiranë, shpallet në kërkim autori dhe 2 bashkëpunëtorët! Sherr për një automjet 30 mijë euro

Detaje/ Plagosja e 34-vjeçarit në Tiranë, shpallet në

Autori i plagosjes me armë zjarri të 34-vjeçait Juxhin Hamajesi dy ditë më parë në rrugën “Aleksandër Moisiu, i identifikuar si K.Kallo, është shpallur në kërkim së bashku me 2 bashkëpunëtorët e tij. Hamajesi u plagos në pjesën e këmbës pas një konflikti të çastit, kështu deklaroi ai vetë në polici, ndërsa ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Sipas hetimeve paraprake, përplasja mes Hamajezit dhe Kallos lidhet me një konflikt të hershëm financiar. Dyshohet se 34-vjeçari i kishte marrë Kallos një automjet me vlerë rreth 30 mijë euro, pa i dhënë shumën e parave. Nga të dhënat hetimore rezulton se Kallo kishte shkuar në lokalin e Hamajesit për t’i kërkuar paratë, duke e kërcënuar se në të kundërt do ta vriste.

Fillimisht mes tyre ka pasur debat verbal, ndërsa më pas i dyshuari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të 34-vjeçarit. Hamajezi mbeti i plagosur me një plumb në këmbë. Ndërkohë, edhe Hamajezi rezulton me precedentë penal, pasi është arrestuar më herët për trafikim të emigrantëve klandestinë.

Në vitin 2018 ai i shpëtoi gjithashtu një atentati, ku u qëllua me armë zjarri nga Santjago Malko. Pas ngjarjes, gjatë marrjes në pyetje në spital, Hamajezi ka refuzuar të japë deklarime për grupin hetimor. Në kërkim u shpallën dhe Gj.Lleshi e L.Mejdani, të cilët kanë ndihmuar autorin të largohet nga vendi i ngjarjes.

“Tiranë

Si rezultat i hetimeve, zbardhen autorësia dhe rrethanat e plagosjes me armë zjarri, të kryer më datë 26.05.2026, në rrugën “Aleksandër Moisiu”.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim autori i dyshuar i plagosjes dhe 2 bashkëpunëtorët e tij.

Gjendet dhe sekuestrohet me cilësinë e provës materiale, 1 automjet i cili është përdorur në vendngjarje.

Menjëherë pas njoftimit së një shtetas ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, rreth mesnatës së datës 26.05.2026, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për zbardhjen e rrethanave dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të rastit.

Si rezultat i veprimeve hetimore u identifikua autori i dyshuar i plagosjes për motive të dobëta, shtetasi K. K., 31 vjeç, si dhe 2 bashkëpunëtorët e tij, shtetasit Gj. Ll., 36 vjeç dhe L. M., 45 vjeç.

Punohet intensivisht për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit.

Shtetasi i plagosur, J. H., është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.