AKTUALITET, 22 Dhjetor 2024, 15:49

Shpërthim në një banesë në Tiranë, lënda plasëse dyshohet se u hodh me dron

Shpërthim në një banesë në Tiranë, lënda

Një shpërthim është ndjerë rreth mesnatës në katin e nëntë të një apartamenti në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë. Lënda plasëse dyshohet të jetë hedhur me dron në banesën që rezulton në emër të Albert Thomas, i cili ia ka lëshuar me qira Elena Arzas.

Grupi i hetimit nuk e ka marrë ende atë në pyetje, pasi në banesë nuk kishte njeri. Përveç pistës që lënda plasëse mund të jetë hedhur me dron, grupi i hetimit nuk përjashton as mundësinë e një inskenimi, mëson A2 CNN.

Policia nuk ka ende të qartë se kush mund të ketë qenë objektivi, pronari i banesës apo vajza që ia kishte lënë me qira.

Informacion paraprak

Rreth orës 23:45, të datës 21.12.2024,  është njoftuar Salla Operative se në banesën që jetonte shtetasja E.A, në rrugën “Sadik Petrela” në katin e 9-të, është dëgjuar një zhurmë  si shpërthim.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë  ku kanë hapur me forcë derën pasi nuk kishte njëri në banesë dhe kanë konstatuar në ballkonin e kësaj banese,  të dëmtuar xhamin dhe vetratën e ballkonit, që dyshohet  se janë dëmtuar nga lëndë plasëse.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ëve.

Materialet procedurale u referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.