TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Jeton Lami do të vazhdojë të qëndrojë në burg. Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e tij, duke e lënë ende në burg ish-efektivin e Operacionales, i cili është arrestuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi në vend që të prangoste, shoqëronte nëpër Shqipëri Ervis Martinajn.
Gjatë procesit, Prokuroria e Kurbinit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë dhe të Apelit, në caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" për Lamin edhe pse ky i fundit kërkoi një masë më të lehtë sigurie, ndërkohë që deri më tani nuk ka dhënë asnjë detaj lidhur me Martinajn, edhe pse është arrestuar që më 24 gusht të vitit që shkoi me kërkesë të Prokurorisë së Laçit. Nga burime të ndryshme është raportuar se i vetmi person që Lami ka folur për Martinajn ka qenë ish-kryepolici Gledis Nano në një takim informal në zyrën e tij pas arrestimit, por kuurë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Për Jeton Lamin, më 26 dhjetor, Prokuroria e Kurbinit zgjati edhe me 3 muaj të tjerë afatin e hetimit për Jeton Lamin, duke arsyetuar se do të kryejë veprime të tjera hetimore. Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit.
Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.
Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë detaj nga hetimet.
Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.