AKTUALITET, 30 Maj 2023, 21:45

Shoqërohet në polici drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër, u emërua nga Bardh Spahia

Shoqërohet në polici drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve
Arvit Bushati

Drejtori i ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime në Shkodër, Arvit Bushati, është shoqëruar sonte në polici. Bushati ishte emëruar mëse një vit më parë si administrator nga kreu i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, pas vendimit të Asamblesë së Ujësjellës–Kanalizime në Shkodër.

Bushati ka qenë më parë drejtues i forumit rinor të PD-së, si dhe ka mbajtur funksione të ndryshme në pushtetin vendor.

Arvit Bushati ishte shpallur në kërkim më 13 maj të këtij viti pasi akuzohej se po blinte vota për zgjedhjet e 14 majit. Dyshohet se kjo pikërisht është edhe arsyeja e shoqërimit në polici, por ende nuk ka një informacion zyrtar.

Bushati dyshohet se ishte porositësi i 50 pakove ushqimore që do shpërndaheshin në familjet shkodrane, në këmbim të votës për kandidatin e “Bashkë Fitojmë” për Shkodrën, Bardh Spahia.

Mbrëmjen e 13 majit u arrestuan tre punonjësit e bashkisë së Shkodrës, Ergys Ivziku, 31 vjeç, drejtor i Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, Petrit Dyli, 49 vjeç, me detyrë teknik i Shërbimeve në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore. Po ashtu është arrestuar edhe Mhill Volaj, 63 vjeç, me detyrë Specialist i Financës në Drejtorisë Ekonomike-Arsimore pasi akuzoheshin se shpërndanin ushqime për vota, ndërsa Bushati u shpall në kërkim.

Bushati konsiderohet si një ndër personat më të rëndësishëm të demokratëve të Rithemelimit në Shkodër, të cilët thanë se do të protesojnë përpara komisariatit të Shkodrës.