TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shkëlzen Berisha, për herë të parë u paraqitet në GJKKO për të dëshmuar në gjyqin për tragjedinë e Gërdecit. Në një prononcim për median pasi doli nga gjykata Berisha pranoi se ka folur me Mediun ditën e tragjedisë së Gërdecit. Sipas SPAK ai ka pasur 5 telefonata me ministrin Mediu.
"Me Mediun ditën e tragjedisë së Gërdecit fola për një çështje personale"-tha ai.
Berisha ka pranuar se kishte dijeni për aktivitetin por nuk e dinte se ku kryhej ky aktivitet.
"Fakti që ka telefonuar Delijorgjin kishte të bënte me bashkëshortin e tezes. Mihal Delijorgji nuk kishte dijeni për fatin e të ndjerit" ka thënë në gjykatë.
Berisha komentoi dhe çështjen e faksit në Ministrinë e Drejtësisë.
"Faksin për mua ta sqarojë prokuroria nëse është i vërtetë apo fals. Faksi nuk ka ardhur tek unë, duhet ta kishte hetuar prokuroria këto 15 vite” tha ai.
GJKKO ka thirrur Shkëlzen Berishën të dëshmojë lidhur me faksin që Aldo Bumçi i ka dërguar atëherë Mediut me shënimin “për Shkëlzen Berishën”.
Berisha deklaroi se ditën kur ndodhi shpërthimi në Gërdec ka qenë jashtë shtetit.
“Kam qenë jashtë vendit ditën e shpërthimit të Gërdecit. E kam mësuar ose nga media, ose nga bisedat me familjarët e mi ngjarjen, nuk e saktësoj dot. Me ish-ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçi, njihem. Kam me të marrëdhënie miqësore prej angazhimit të tij politik. Kam qenë në zyrën e tij kur ka qenë ministër. Nuk e them dot me saktësi sa herë, por kam qenë. Kemi bërë biseda personale, politike, familjare.”, mësohet të jetë shprehur djali i ish-kryeministrit Berisha.
Ai thotë se takimet me Aldo Bumçin janë kryer vetëm për qëllime elektorale. I pyetur edhe për telefonatat me Mihal Delijorgjin, Shkëlzen Berisha se të gjitha telefonatat janë kryer pas vitit 2008 dhe s’kanë pasur lidhje me Gërdecin.
"Për ta specifikuar, të gjitha telefonatat janë kryer pas vitit 2008. Praktika dhe puna në atë punishte ka nisur që në 2007. Nuk ka pasur asnjë lidhje me çështjen në fjalë. Delijorgji përveç se ka qenë i përfshirë në këtë çështje, ka qenë edhe sipërmarrës ndërtimi dhe kjo është mënyra si e kam njohur unë.
Të gjitha takimet me Mediun dhe Bumçin kanë qenë me çështje personale, as me këtë çështje as me VKM të tjera. Bumçin dhe Mediun i kam miq para se të ishin ministra, i kam miq edhe sot që s’kanë më të njëjtin funksion"-tha Shkëlzen Berisha.
Në gjykatë janë thirrur në gjykatë përveç Shkëlzen Berishës, edhe dëshmitaret Anjola Agollit, ish-sekretare e Mediut, Liza Maksuti, Luan Hoxha, Ylli Pinari dhe Sokrat Papadhima.
Shkëlzen Berisha refuzoi të paraqitet në gjykatë seancën e 14 dhjetorit.
Ai sot foli për herë të parë në lidhje me kërkesën e SPAK për "arrest shtëpie" për ish-kryeministrin. Pas përfundimit të dëshmisë për tragjedinë e "Gërdecit" , Shkëlzen Berisha akuzoi Prokurorinë e Posaçme se po përdoret për qëllime politike.
'Jo nuk jetoj me Berishën! Patjetër që do ta takoj. Ky vendim është grotesk, përdorimi politik i prokurorisë ka kapur nivele groteske. Më jepni një vend në botë ku kryetari i opozitës mbahet në arrest shtëpie pa të drejtë komunikimi ndërkohë që nuk ka akuzë. Trump ka 34 kauzë dhe asnjë masë ndaj tij. Sali Berisha nuk ka asnjë akuzë dhe qëllimi politik është i qartë. Përdorimi politik i prokurorisë është i turpshëm. Masat e sigurisë ndaj një lideri opozite është groteske.’- tha Shkëlzen Berisha.
I pyetur se pse nuk e ka zbatuar masën e prokurorisë, Berisha, ai tha se është një masë antikushtetuese.
‘Ju e dini më mirë se sa unë arsyen pse nuk e ka zbatuar. E keni parë dhe ka ardhur që u është përgjigjur çdo thirrje të drejtësisë, ku ka qenë fjala. Arsye pse nuk e ka zbatuar është se ka qenë në shkelje të kushtetutës asgjë nuk e pengonte prokurorinë të shkonte në Kuvend, gjykatë që ka marrë vendim në konflikt të interesit. I është hequr imuniteti pa prova shoqëruese. Do të bëj çdo lloj përpjekje ta takoj babain tim.’- tha Berisha.
Shkëlzen Berisha hodhi sërish akuza në drejtim të gjyqtares Irena Gjoka, duke thënë se ajo është në konflikt interes me argumentin se Berisha e ka larguar nga puna.
‘Çdo qytetar ka detyrim të zbatojë Ligjin. Çfarë mund t'i thuhet një qytetari kur gjyqtarja është në konflikt interesi dhe ajo kërkon prova për këtë konflikt interesi. Nuk e di ajo që është shkarkuar nga babai im.’- tha Berisha.
I pyetur nëse do të angazhohet politikisht, Berisha tha se nuk ka në plan.
‘Jam mbështetës i PD-së nuk kam në plan të angazhohem politikisht!’- tha Berisha.