AKTUALITET, 22 Korrik 2022, 16:46

SHBA-të kishin informacion për kërcënim terrorist nga Irani, shtyhet pa afat samiti i muxhahedinëve në Manzë

SHBA-të kishin informacion për kërcënim terrorist nga Irani,

Samiti Botëror i Iranit të Lirë, që do të mbahej më 23 dhe 24 korrik në “Ashraf 3”, është shtyrë. Njoftimin e bën Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, ndërsa shtohet se Samiti do të jetë i shtyrë deri në një moment të dytë me rekomandim të qeverisë shqiptare për arsye sigurie nga kërcënime terroriste.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, ambasada amerikane në Tiranë bëri të ditur se Samiti botëror i Iranit të lirë që do të mbahej në zonën e Manzës në Durrës, në kampin “Ashraf 3”, ku gjendet i strehuar një numër i lartë pjesëtarësh të lëvizjes opozitare iraniane, Mojahedin-e-Khalq (MEK), mund të ishte objekt kërcënimesh.

Në një njoftim, Ambasada bënte të ditur se “qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm i cili ka në shënjestër takimit botëror të nivelit të lartë të Iranit të lirë, që do të mbahet pranë Durrësit nga 23 deri më 24 korrik”.

Ndërkohë, qytetarët amerikanë u udhëzuan që ta shmangin këtë ngjarje dhe të monitorojnë mediat.