AKTUALITET, 30 Shtator 2023, 23:00

Sfida e krijimit të operas nga kompozitorët e rinj shqiptarë

Sfida e krijimit të operas nga kompozitorët e rinj shqiptarë

Erli Lila është një djalosh 21-vjeçar nga Durrësi. Ai ndjek studimet në Universitetin e Arteve në degën e kompozicionit dhe para tre javësh prezantoi operan e tij të parë “1991 – Viti i Aurorës”.

Opera e Lilës u shkrua pas një konkursi kompozicioni, si bashkëpunim me dy artistë të tjerë nga Italia e Sllovenia, dhe u paraqit në formë koncertore në sallën Qendrës Kuturore të Katedrales ortodokse në Tiranë me këngëtarë dhe orkestër nga të tre vendet pjesëmarrëse në projekt.

“Kemi punuar vazhdimisht on line me të dy kompozitorët e tjerë – tha Erli Lila për BIRN, duke shtuar: Paçka se i kishim ndarë skenat për kompozim, arritja e koherencës mes personazheve dhe ngjarjeve muzikore në momentet skenike kërkonte bashkëpunim, me ato mundësi që të jep komunikimi on line”.

Djaloshi artist uron që veprat e ardhshme, jo vetëm të vetat ti shohë në skenë, “pasi ato duhet të përballen me publikun”.

“Krijimtaria e re aktualisht nuk inkurajohet nga TKOB – shton Erli Lila, dhe mendimi, që vepra yte nuk vihet në skenë përbën një pritshmëri negative për shumë kompozitorë”.

Prof. as. dr. Edmond Buharaja, pedagog i kompozicionit për studentin Lila, i tha BIRN se operat e shkruara pas vitit 1990 kanë mbetur në sirtarë, ose në rastin më të mirë janë inskenuar në formë koncerti.

Pasi kujton baletin e Feim Ibrahimitt në vitin 1986 “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, vepra e fundit madhore në teatrin e Operas, Buharaja përmend operan “Dodona” shkruar nga Aleksandër PeçI 10 vjet më parë, ende e pavënë në skenë.

Të njejtin fat kanë patur edhe dy operat e kompozitorit Ermir Dergjini përkatësisht “Lugati (1993) dhe “Besa” (1995).

Vetëm dy operat “Eumenide” dhe “Skenderbeu”, të kompozitorit Vaso S. Tole, fituese në dy konkurse u ngjitën në skenat koncertore të Tiranës, Athinës dhe Prishtinës.

Sipas prof. Buharasë “angazhimi i madh që kërkojnë gjinitë e mëdha, si baleti dhe opera, apo situata dramatike e realitetit artistik në Shqipëri nuk afron asnjë lloj forme “joshjeje” për nxitur ndërmarrje të tilla”.

“Mund të rikujtojmë që Ministria e Kulturës apo Radio-Televizioni kanë shpallur madje edhe ndonjë konkurs për opera dhe simfoni, pa siguruar afatet minimale që do të duheshin për kompozime të këtij niveli – shprehet pedagogu i UA, sipas të cilit “vështirësitë shtohen pasi mungojnë libretistë të vërtetë e të mirëfilltë, posaçërisht për operan. Një gjë është të jesh poet apo shkrimtar, e tjetër është të jesh libretist me vlera”.

Operat e shkruara vitet e fundit nga autorët shqiptarë janë kompozuar pas porosive nga entet artistike, kryesisht të huaja, dhe thuajse të gjitha e kanë fillesën në konkurset e organizuara nga këto institucione.

Kompozitori akademik Vasil S. Tole e quan vehten me fat, që shpallja fitues mes 120 pjesmarrësve në Athinë i dha mundësinë të shkruajë në vitin 2005 operën “Eumenides”.

E po kështu edhe opera solemne “Skënderbeu, Kryezoti i Arbërit” mbërriti te publiku pas konkursit që u shpall në vitin 2018 nga Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, në kuadër të 550 – vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.

“Nëse këto konkurse nuk do të bëheshin dhe nuk do të shpallesha fitues, këto dy vepra të mëdha skenike të muzikës sonë as nuk do të shkruheshin, e për pasojë as nuk do të interpretoheshin e të ekzistonin sot – tha për BIRN z. Tole.

Sipas kompozitorit akademik “e vetmja zgjidhje për të pasur krijimtari në këto gjini është, ose porosia për krijuesin nga institucioni përkatës, ose organizimi i konkurseve tematike për gjini të tilla të mëdha si opera, baleti, simfonia apo koncertet instrumentale. Kjo është përvoja ime me pak fjalë – shprehet prof Vasil S. Tole.

Opera me një akt “Viti 1991 – Viti i Aurorës” që u prezantua në fillim të muajit shtator përveç bashkëpunimit rajonal mes artistëve, a po krijon një grup kompozitorësh të rinj me aftësitë dhe kulturën e një krijimtarie të tillë madhore?

Prof. Vaso S. Tole tha për BIRN se “pas viteve 1990, ka ndryshuar shumëçka, sa i përket orientimeve muzikore krijuese e po ashtu edhe interesit për të studiuar kompozicionin si degë në Universitetin e Arteve”.

Sipas akademikut Tole “ka një rënie të numrit të studentëve që e frekuentojnë këtë degë, nga më të vështirat dhe më të bukurat njëherazi.

Megjithëse mosbesues prof Tole vlerëson se “pavarësisht kësaj, ndër vite krijues të veçantë nga gjeneratat më të reja të cilët vijojnë traditën e kultivimit të muzikës shqiptare në kushtet e reja, kryesisht në muzikën e lehtë dhe atë të dhomës.

“Për mbështetjen e tyre këto vitet e fundit ka ndikuar sado pak edhe nismat e Ministrisë së Kulturës siç është rasti i organizimit të konkursit “Cesk Zadeja” për kompozitorët e rinj, apo konkurset e tjera tematike. Më së fundi, hapja e skenës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit si dhe organizimi i Stinës Koncertale të Orkestrës Simfonike të RTSH për interpretimin e krijimtarisë muzikore bashkëkohore shqiptare, por dhe për atë të traditës është një tjetër shenjë e mire – vlerëson kompozitori Vaso S. Tole.

Partiturat e operave shqiptare në 30 vitet e fundit janë interpretuar vetëm në format e koncerteve në skena jooperistike.

Vënia në skenë është “thembra e Akilit” për gjini muzikore të mëdha, të tilla si simfonia, koncertet për instrument e orkestër, opera, baleti etj.

Sipas kompozitorit Vaso S. Tole “në rradhë të parë mungesa e porosive për krijimtari të tilla, e shoqëruar me garancitë për mbështetje kanë ndikuar në uljen sasiore të krijimit të këtyre veprave.

“Sot përdoret termi “performim”, çfarë kupton se procesi i krijimit është i pandarë nga ai i ekzekutimit, pasi konteksti i gjallesës së një vepre artistike, posaçërisht i atyre tingëllore, është i lidhur ngushtë me praninë e një prodhuesi – tha prof. Buharaja.

“Në dallim nga artet e tjera të cilat nuk kanë nevojë të domosdoshme për ndërmjetësimin e një interpreti, muzika nuk bën dot pa këtë. Veç kësaj, gjinitë skenike janë mjaft të kushtueshme pasi veç krijuesve ato parashikojnë praninë e interpretëve dhe të teknikëve, një varg ky i padukshëm, por i domosdoshëm”.

Por nëse në TKOB që prej tre dekadash opera e autorëve shqiptarë mungon, në Prishtinë po ndodh e kundërta.

Bashkë me krijimin e teatrit të Operas, tashmë po punohet për të risjellë në skenë operan e parë kosovare “Goca e Kaçanikut” me muzikë të Rauf Dhomit dhe libret të Ajmone Dhomit dhe Jusuf Buxhovit. Premiera e kësaj oopere u vu në skenë në vitin 1979 në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë.

Rivënia në Prishtinë e operas “Goca e Kaçanikut” është shenja më e qartë e fuqisë artistike në rritje të institucioneve muzikore e artistike në Kosovë – përfundoi  kompozitori Vaso S. Tole./BIRN