AKTUALITET, 27 Dhjetor 2025, 13:22

Sekuestrohen 179 fishekzjarre të paligjshme në Vlorë, procedohet pronarja e një dyqani

Sekuestrohen 179 fishekzjarre të paligjshme në Vlorë, procedohet

Vijojnë kontrollet e Policisë së Vlorës për parandalimin dhe goditjen e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit.

Në kuadër të planit të masave të ndërmarra, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, kanë intensifikuar kontrollet në subjekte tregtare të qytetit.

Si rezultat i kontrolleve, në një subjekt tregtar me aktivitet ushqimor, në lagjen “Pavarësia”, u konstatuan dhe u sekuestruan 179 copë lëndë piroteknike (fishekzjarre), të cilat mbaheshin për tregtim në kundërshtim me ligjin.

Lëndët piroteknike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale u referuan në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj pronarës së subjektit, shtetases D. K., 31 vjeçe, banuese në Vlorë.

Policia bën me dije se kontrollet për ndalimin e tregtimit të paligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Vlorë, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve gjatë festave të fundvitit.