AKTUALITET, 27 Dhjetor 2025, 11:23

Nga të shtënat në Luksemburg te trafiku i tonelatave drogë, media: Rruga kriminale e Aldo Gjinit, shqiptarit që terrorizoi vendin 

Nga të shtënat në Luksemburg te trafiku i tonelatave drogë,

Gazeta prestigjioze luksemburgase Luxemburger Wort i ka kushtuar një artikull të gjatë shqiptarit Aldo Iamandi, i njohur edhe si Aldo Gjini, i cili u bë i njohur pas të shtënave me armë zjarri më 24 nëntor 2020 në qytetin Remich, duke u futur në listën e personave më të kërkuar në Europë.

Gjini u arrestua më pas në Bruksel dhe në fund të vitit 2023 u dënua nga drejtësia luksemburgase me 30 muaj burg për posedim të paligjshëm armësh dhe plagosje. Ndërkohë, në Shqipëri ai përballet me akuza më të rënda, përfshirë tentativë vrasjeje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve, ngjarja në Remich nisi pas një konflikti në një lokal, ku Gjini hapi zjarr duke plagosur një person me katër plumba. Edhe sot, në zonën pranë urës Europabrücke, janë të dukshme gjurmët e të shtënave.

Hetimet e mëvonshme dhe zbërthimi i komunikimeve në rrjetin e koduar SkyECC zbuluan lidhjet e Gjinit me grupe të krimit të organizuar shqiptar dhe me trafikimin ndërkombëtar të drogës. Autoritetet dyshojnë se ai ishte pjesë e një strukture kriminale që kontrabandonte sasi të mëdha kokaine dhe marihuane drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave të publikuara, grupi dyshohet se ka trafikuar mbi 2.4 tonë lëndë narkotike, ndërsa një prej ngjarjeve kyçe lidhet me kapjen e 475 kilogramëve kokainë në portin e Vlissingenit në Holandë, një ditë para incidentit të armatosur në Remich.

Bazuar në këto prova, SPAK ndërmori një operacion të gjerë në Shqipëri, ku u lëshuan 14 masa arresti, prej të cilave u ekzekutuan 10. U sekuestruan shuma të mëdha parash, automjete luksoze dhe armë zjarri. Operacioni lidhet edhe me grupin kriminal të njohur si “Rraja”, ku është përfshirë edhe djali i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja.

Aktualisht, Aldo Gjini ndodhet në paraburgim në Shqipëri, ku po hetohet për disa vepra të rënda penale. Autoritetet theksojnë se provat e siguruara nga SkyECC janë thelbësore për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal, ndërsa çështja pritet të ketë zhvillime të tjera në vijim.