TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rrëfyer jetën e tij në 360 gradë, nga rinia dhe familja, politika dhe sfidat, profesioni dhe pasionet.
Në emisionin “Elevate” me Floriana Garo, ish-presidenti dhe kryeministri ndau dekadat e karrierës së tij politike e jo vetëm, duke kombinuar historitë e jetës familjare me atë të braktisjes së profesionit të mjekut për të zgjedhur politikën si një rastësi e madhe dhe që nuk e kishte menduar kurrë më parë.
Nga fëmijëria në Malësinë e Gjakovës, vitet e formimit dhe pasionet e hershme, deri te rrugëtimi si gjimnazist në Tiranë dhe studimet në Mjekësi, Berisha rrëfen momentet që kanë ndikuar në formimin e tij njerëzor dhe profesional. Ai ndalet edhe te njohja me bashkëshorten, krijimi i familjes dhe përjetimi i rolit të babait, një dimension intim, i rrallë për publikun.
Intervista vijon me hyrjen në politikë, sfidat e mëdha të drejtimit të vendit, përjetimet si President dhe Kryeministër, vendimet e vështira, dorëheqjen dhe rikthimin në skenën politike.
“Nuk e kisha menduar ndonjëherë se mund të merresha me politikë. Dhe në atë kohë çdo lloj kundërshtimi mund të vinte me pasoja nga më të paimagjinueshme. Por pasojat më të rënda do i paguanin fëmijët dhe gruaja. Pra çmimi në atë kohë ishte i madh”, rrëfeu ai.
Por çfarë e nxiti Berishën që të ndiqte rrugën e politikës, pasi pranon se kishte informim vetëm për çështjet e Kosovës, për shkak të familjes së tij.
“Na mungonte dinjiteti njerëzor, sepse ne tjetër mendonim dhe tjetër flisnim, ishte imponuar njeriu diktaturë. Ne diskutonim me miqtë gjithçka kundër, por kur shkonim në kolektiv, flisnim të gjithë ndryshe. Im atë për shembull fliste gjithmonë ato që mendonte. Për sa i përket situatës, një nxitje e madhe për mua ishte uria e shqiptarëve. Ishte uria kronika, 75% e shqiptarëve ishin me uri kronike, me sëmundje nga më të ndryshme. Ishte vetëm buka e misrit. Kjo ishte nxitje e madhe për mua, se kaloi në barbari. Në 1988 thanë se po hapeshin dhe i dhanë fshatarëve një qingj e një kec, një për vete e një për kooperativën. Degradim total. Vendimi i përfshirjes në politikë ishte më i vështiri, më i rëndësishmi, sepse më mori shumë kohë. Ramiz Alia në pamje dukej tolerant, por në të vërtetë ishte një marksist-leninist i bindur”, rrëfen kreu i selisë blu.
I pyetur nëse ishte një vendim i vështirë braktisja e profesionit, ai e pranon, por nuk mund të qëndronte i heshtur përballë asaj situate. Berisha ka rrëfyer edhe vizionin e tij të parë politik, që ishte “Shqipëria si Evropa”.
“Kurrë s’e kisha menduar, unë isha mjek dhe isha i lidhur me të, ishte profesion shumë i bukur. Në atë kohë i gjithë formimi im politik ishte çështja kombëtare, Kosova. Ajo që kishte ndikuar familja tek unë, më shumë se çdo gjë tjetër, ishte Kosova. Kosova ishte brenga e tyre e madhe. 70% të bisedave ishin për Kosovën, sepse pas 45 u ndanë më shumë. Ata flisnin për shitje, unë mendoja dhe thoja e bënë rusët ndarjen, por ata thonin jo, ia bëmë vetes. Ata flisnin për gjithçka për të dhe ndaj i gjithë formimi im ishte për Kosovën. Vizioni im i parë për Shqipërinë kur nisa politikën ishte “Shqipëria në Evropë”. Nuk kam menduar se do ishte një udhëtim i shkurtër”, u shpreh ai.
Një tjetër shkak që Berisha zgjodhi politikën ishte edhe indoktrinomi i popullit në atë kohë nga regjimi diktatorial, madje e krahasoi me “akullnajë” dhe “njerëz të hekurosur nga regjimi”.
“Unë shqiptarët në kohën e regjimit i mendoja si njerëz të hekurosur nga regjimi, si akullnajë. Psikologjia kombëtare në atë periudhë më dukej si akullnajë dhe synimi ishte të shkrinim akullin, se ndryshe shkoje në konflikt. Ishte rënia e Enver Hoxhës dhe ata ishin të indoktrinuar, mijëra shqiptarë rrëmbyen armët, ashtu e mendonin ata, u mobilizuan, ishin të indoktrinuar, kalonin orë të tëra me bust në krah, sikur të ishte gjallë. I tillë ishte indoktrinomi i tyre”, tha ai.
Berisha rrëfeu edhe pasionet e rinisë, lidhjen me Lirinë, martesën, fëmijët dhe qëndrimi larg tyre për shkak të punës. Ai tha se “Lili ishte fati im”, duke e cilësuar më të rëndësishmen e jetës së tij.
“Lili ishte fati im. Një vit e gjysmë, dy pas njohjes u martuam. Nuk kemi bërë dasmë. Jo, nuk kemi bërë, kushtet ishin të atilla. Ishte nga një familje me tradita, edhe prindërit e mi e donin shumë, Ishim të dy mjekë. Ajo ishte më e zënë, se përveç punës kishte edhe shtëpinë. Ajo e kishte me pasion mjekësinë, por unë i sugjerova pediatrinë. U dashurua me profesionin e vetë, e donte shumë, sepse fëmija i pasqyron gjërat më shumë se i rrituri, ndaj ajo është e dashuruar me profesionin e vetë. Me gjithë dëshirën që kisha për ta ndihmuar, nuk e ndihmoja dot. Dhe shikoja vjehrrën time që i kërkonte të birit të njëjta gjëra si kërkesat që kishte ndaj vajzave dhe e shikoja si pozitive këtë gjë”, tha kryedemokrati.
Kurse për fëmijët shtoi:
“Me fëmijët isha shumë i lidhur, por nuk kisha shumë kohë. Dhe përpiqesha që ta kompensoja me sa të mundesha. Kemi bërë pushime brenda vendit, kemi shkuar në Tropojë, por vendim im i preferuar për pushime ishte Pogradeci. Kemi shkuar 13 vera radhazi atje me familjen, ku ishim me një familje mikëpritëse pogradecare. Shkoja me fëmijët atje, ishte vendi im i preferuar, jetë e qetë familjare. Fëmijët nuk i kam ndikuar në zgjedhjet e tyre, doja t’u sugjeroja edhe mjekësinë, por nuk i kam ndikuar. Të dy u shkolluan në Tiranë dhe bënë masterat jashtë në degët e tyre. Argitës nuk i dhanë më 1990 të drejtën për Juridik dhe më 1991 kaloi nga Biologjia te Fakulteti Juridik. Edhe Shkëlzeni ndoqi rrugën e drejtësisë gjithashtu, Avokatinë, sepse ishte trend në atë kohë”, rrëfeu ai.