TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një deklarate të tij të djeshme, u shpreh se BSH vlerësonte me nota pozitive futjen e aksionerëve vendas në tregun e bankave të nivelit të dytë.
“Futja e aksionerëve vendas na ka surprizuar për mirë, ne si bankë qendrore, por edhe realitetin ekonomik shqiptar. Kredia me probleme ka vijuar të bjerë, dhe kreditimi si një instrument për rritjen ekonomike ka vazhduar të rritet duke shkuar në nivelin 14% rritje me bazë vjetore.
Mos harroni që para 5 vitesh kemi pasur një rritje anemike të kreditimit. Kjo edhe si pasojë se këto banka evropiane, pikërisht për arsye të kufizimeve qe atyre u ishin vendosur nga grupet apo autoritetet evropiane, ishin jo sa ç’duhej aktive dhe pothuajse nuk po kryenin rolin e tyre në ekonominë shqiptare” – u shpreh ai.
Në këtë optikë guvernatori e ka parë edhe rritjen e kreditimit nga bankat në vend.
“Zëvendësimi i tyre me aksionerët e rinj me ambicie për të operuar, për t’u rritur e për të gjeneruar fitime për veten dhe tregun, bëri që kredia të arrijë në nivelin e rritjes 14%, gjithmonë duke pasur parasysh që jemi në një kohë krize.
Bëri që mos përkeqësohen bilancet e sistemit financiar dhe gjithashtu norma e mjaftueshmërisë së kapitalit (që është një nga treguesit kryesorë me të cilin masim shëndetin e sistemit bankar) mbeti në nivele shumë të larta.
Mesatarja e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar është 19%, krahasuar me 12%, që është minimumi i kërkuar nga Banka Shqipërisë.
Pra, kemi një përvojë afatshkurtër rreth 5-vjeçare të ndryshimit strukturor të sistemit bankar dhe rritjes së peshës specifike të aksionerëve vendas në raport me aksionerët e huaj, e cila ka rezultuar pozitive deri tani” – deklaroi Sejko.