AKTUALITET, 26 Gusht 2022, 15:03

Rritet numri i turistëve të huaj në Shqipëri, korriku shënon rekord, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë

Rritet numri i turistëve të huaj në Shqipëri, korriku
Foto ilustrim: Prado Hotel, Livadh

INSTAT ka publikuar shifrat e hyrjeve të shtetasve në Republikën e Shqipërisë, për muajin korrik 2022, ku duket se ka një rritje të ndjeshme të vizitorëve të huaj. 

Konkretisht në korrik 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.403.333, shifra më e lartë e regjistruar në Shqipëri. Ky numër është rritur me 21,1 %, krahasuar me korrik 2021. Kjo shifër tejkalon edhe numrin e shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë në korrik të vitit 2019, para pandemisë, i cili konsiderohet si viti më i mirë për turizmin në vendin tonë, me 1.176.810 shtetas të huaj. 

Në total, për muajin korrik hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj janë 2.011.041. Ky tregues rezulton me një rritje 22,1 %, krahasuar me Korrik 2021.

Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,8 herë dhe Italia me 48,0 %, krahasuar me Korrik 2021.

Gjatë shtatëmujorit 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4,5 herë dhe Greqia me 3,0 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 4,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Rritet numri i turistëve të huaj në Shqipëri, korriku
Lëvizjet e shtetasve në Shqipëri, korrik 2022 - INSTAT