AKTUALITET, 6 Korrik 2024, 15:20

Rivlerësimi i masës/ Beqaj kërkon të lirohet me garanci pasurore 5 mln lekë, ndërpritet seanca për ish-ministrin në GJKKO

Rivlerësimi i masës/ Beqaj kërkon të lirohet me garanci

Po mbahet sot në Gjykatën e Posaçme seanca për vlerësimin e masave të sigurisë për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij, nën hetim për korrupsionin me fondet e BE në SASPAC.

Mësohet se seanca është ndërprerë për 30 minuta, teksa ish-ministri ka kërkuar që të lirohet me garanci pasurore, 5 milionë lekë. Ilir Beqaj ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij për abuzim me fondet gjatë dëshmisë në sallën e gjyqit në GJKKO.

Siç bëhet me dije, vetëm dy javë kohë i është dashur Gjykatës së Posaçme për të marrë vendimin për caktimin e masave të sigurisë në lidhje me dosjen “SASPAC”. Ka qenë vendimi i gjyqtares Rudina Palloi, ku bëhet me dije se Prokuroria e Posaçme e ka dërguar kërkesën në GJKKO me 21 qershor 2024 ndërsa vendimi është dhënë në 3 korrik 2024. Prokurorja e çështjes është Elida Kackini, e cila i është drejtuar kësaj për të vendosur në total 8 masa sigurimi personal, por nga gjyqtarja janë pranuar vetëm 7 të duke rrëzuar kërkesën për caktimin e masës për shtetasen Marinela Jazoj.