AKTUALITET, 17 Korrik 2024, 15:11

Rihapi hetimet për “21 Janarin”, SPAK thërret bashkëshorten dhe xhaxhanë e Aleks Nikës

Rihapi hetimet për “21 Janarin”, SPAK thërret

SPAK ka thirrur bashkëshorten dhe xhaxhain e Aleks Nikës pasi rihapi hetimet për çështjen e “21 Janarit”.

Rajmonda Nika dhe xhaxhai i bashkëshortit të saj të ndjerë janë thirrur në cilësinë e kallëzueses.

Ata do të paraqiten në ambientet e SPAK të hënën, më 22 Korrik.

Prokuroria e Posaçme regjistroi ditën e djeshme (16 Korrik) procedimin penal për dosjen e 21 janarit, ku gjatë protestës së asaj kohe u vranë 4 qytetarë të pafajshëm.

Procedimi ka nisur për vrasjen e Aleks Nikës si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

Me anë të një njoftimi, SPAK thotë se ka regjistruar procedimin penal për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

SPAK thote se ka vendosur “Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.”