AKTUALITET, 8 Janar 2024, 09:27

Reshjet e dëborës, ARRSH: Qarkullimi vijon pa probleme, në zonat malore pajisuni me zinxhirë dhe goma dimërore

Reshjet e dëborës, ARRSH: Qarkullimi vijon pa probleme, në zonat

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH për mes një njoftimi në rrjetin social "Facebook" ka njoftuar në lidhje me situatën pas ndryshimit të motit në vend ndërsa bora gjatë natës ka bllokuar disa rrugë.

Sipas njoftimit nga ARRSH intensiteti i borës ka qenë mesatar në zonat Korçë-Dardhë, në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë dhe në Valbonë ndërsa grupet e punës kanë qenë pa ndërprerje në punë për pastrimin e akseve. Më tej në njoftim bëhet me dije se qarkullimi vijon pa probleme ndërsa ARRSH ka bërë thirrje për drejtuesit e mjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë si dhe udhëtojnë me shpejtësi të ulët.

Njoftimi i plotë:

Gjatë natës i gjithë vendi është përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore në zonat malore grupet e punës kanë qenë në terren për të bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo inerteve në trup të rrugës. Temperaturat kanë qenë të ulëta. Në Korçë-Dardhë, në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë, në Valbonë nga km 20 ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar. Mjetet borëpastruese kanë vijuar punën pa ndërprerje. 

Rrugët janë të pastruara nga dëbora dhe qarkullimi vijon pa probleme. Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.