TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në një deklaratë për mediat, ka bërë me dije se pasi kanë refuzuar të paguajnë faturën e SPAK prej 10 milionë lekësh për të marrë kopje të akteve të dosjes së klientit të tij, do të qëndrojnë në Prokurorinë e Posaçme për të lexuar të gjithë dosjen.
Ermal Yzeiraj, është shprehur se kanë paraqitur një kërkesë tek gjyqtari Erjon Bani, ku sipas tyre argumentojmë paligjshmërinë e akteve ku bazohet fatura e SPAK, por ende nuk ka një zbardhje vendimi.
Që prej orës 9:00, prokurorët i kanë vënë në dispozicion dosjen, në një dhomë të posaçme ku qëndrojnë avokatët, dhe kanë 24 orë kohe për t’u njohur me të, por avokati Yzeiraj u shpreh se është kohe e pamjaftueshme.
Avokati: Për sa i përket bazueshmërisë së dokumenteve, ne kemi paraqitur një kërkesë tek gjyqtari Erjon Bani, ku argumentojmë paligjshmërinë e akteve ku bazohet fatura e SPAK. Gjyqtari ende nuk e ka zbardhur vendimin, na ka orientuar të shkojmë në Gjykatë Administrative. Kjo është një cik rrugë e lodhshme, por jo e pamundur.
Pyetje: A është hera e parë që paguani një faturë të tillë, se ju prej kohësh mbroni persona përpara SPAK dhe GJKKO, apo ndodh me të gjithë personat që janë duke u hetuar nga ky institucion?
Avokati: Ironi është se më të njëjtët prokurorë, me të njëjtët gjyqtar, çështje tjetër nuk kam paguar asnjë lek.
Pyetje: A mendoni se për 24 orë do të mund ta studioni të gjithë dosjen?
Avokati: Jo, e pamundur, do të lexojmë sa të mundemi.
Pyetje: Po thoni që Beqaj do qëndroj sot gjatë gjithë kohës në SPAK deri në përfundim të orarit zyrtar?
Avokati: Sa të na lejojnë të lexojmë , do vazhdojmë të lexojmë, unë doja thjesht të pijë një kafe.
Pyetje: Po si do e kaloj zoti Beqaj këtë?
Ish-ministri i Shëndetësisë, është nën akuzë për Sterilizimin, bashkë me 8 persona të tjerë, mes tyre dhe ish-zv.ministri Rrjepaj dhe biznesmeni Rrapaj.
SPAK vendosi Ilir Beqajn nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, me koncesionin prej 100 milionë euro për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në spitalet shtetërore.
Ish-ministri socialist i shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte prej shumë muajsh me statusin e personit nën hetim dhe paraqitej çdo të premte në SPAK.
Koncesioni afro 100 milionë euro në 10 vjet siguron instrumentet kirurgjikale të personalizuar, mjete njëpërdorimshme kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektim të sallave kirurgjikale.
Ai u miratua nga ministria e shëndetësisë në dhjetor 2015, që shpalli fitues kompaninë SaniService, por afro 8 vjet pas kësaj, SPAK-u arrestoi në gusht 2023 sipërmarrësin e koncesionit në akuzën e mashtrimit, Ilir Rrapaj dhe ish-zëvendës ministrin Klodian Rrjepaj për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, ndërsa sot edhe ish ministri Beqaj u akuzua për shpërdorim detyre.
Ata dyshohen se kanë shkelur procedurat ligjore të dhënies së koncesionit, kanë toleruar shkeljet e njëri tjetrit, duke përshtatur dokumentet dhe treguesit spitalorë dhe financiarë me qëllimin e paracaktuar, që koncesionin ta fitonte shoku i vjetër i ish-zëvendës ministrit Rrjepaj.