AKTUALITET, 13 Maj 2026, 21:41

Reforma territoriale në Durrës, në fokus ndarja e kompetencave dhe financat vendore

Reforma territoriale në Durrës, në fokus ndarja e kompetencave

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot seancë dëgjimore me kryetarët e bashkive të qarkut të Durrësit, ku në fokus ishte funksionimi i reformës territoriale, kompetencat e pushtetit vendor, financat vendore dhe organizimi territorial.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, ngriti shqetësimin për mbivendosjen e kompetencave mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore, veçanërisht në sektorin e kullimit dhe ujitjes.

Sipas saj, një pjesë e funksioneve administrohen nga bashkia e Durrësit dhe një pjesë nga Ministria e Bujqësisë, teksa shtoi se duhet të ketë një ndarje të saktë.

“Kemi diskutimin e funksioneve të ndara në zbatimin dhe dhënien e shërbimit për qytetarët. Funksionet e ndara, p.sh ata që kanë të bëjmë me funksionet e kullimit dhe ujitjes, një pjesë e ka bashkia e Durrësit një pjesë e ka Ministria e Bujqësisë, që do të thotë me reformën e re mendoj që në vëmendje duhet të jetë ndarja e saktë  e funksioneve duke pasur sa më pak mbivendosje me funksione të tjera të qeveris vendore”, tha ajo.

Sako u ndal edhe te çështja e Emergjencave Civile, duke kujtuar se Durrësi është përballur ndër vite me tërmete, përmbytje dhe zjarre. Sipas saj ligji parashikon që 4% e buxhetit për emergjencat civile t’u transferohet bashkive, por që nuk është zbatuar asnjëherë plotësisht.

“Ne kemi edhe çështjen e Emergjencave Civile që është e ndjeshme, pasi në rastin e Durrësit kemi pasur tërmet, zjarre, si dhe përmbytje. Gjykojmë që çështja e Emergjencave Civile, që sot ka një ligj që thotë 4 % të buxhetit duhet t’i transferohet bashkive, kjo nuk është zbatuar asnjëherë, në këtë shifër që do të thotë se në funksione të cilat i kemi për t’i zbatuar me ligj duhet patjetër që t’i kemi të shoqëruara me financa”, tha Sako.

Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, vlerësoi reformën territoriale të vitit 2015 si të suksesshme për Shijakun. Sipas tij, të ardhurat nga taksat janë rritur ndjeshëm pas bashkimit të njësive administrative.

Sa i përket burimeve njerëzore, Arbana tha se “ka patur probleme me burimet njerëzore për të mbajtur personelin para unifikimit të pagave. Me unifikimin e pagave tashmë të gjithë specialistët paguhen njësoj në të gjithë Shqipërinë”.

Ai shtoi se bashkia Shijak ishte ndër të parat që përfundoi procesin e rindërtimit pas tërmetit.

Edhe përfaqësuesja e Bashkisë Krujë foli për efektet e reformës territoriale, duke theksuar se cilësia e shërbimeve është përmirësuar.

“Bashkia e Krujës është e formuar nga gjashtë njësi administrative. Bashkia Krujë ka një specifikë të veçantë pasi ka dy qytete, Krujën dhe Fushë-Krujën. Bashkia ka shpërndarë shërbimet dhe në Krujë dhe në Fushë-Krujë. Sa i përket cilësisë së shërbimeve është përmirësuar. Sa i përket burimeve njerëzore, me nivelin e pagave që është i kënaqshëm. Për profesione të ndryshme kemi probleme, siç janë inxhinierët”, tha përfaqësuesja e bashkisë Krujë.