AKTUALITET, 13 Maj 2026, 21:18

Kryetarët e bashkive të Kukësit në dëgjesë për reformën: Ndarja territoriale të mos ndryshojë

Kryetarët e bashkive të Kukësit në dëgjesë

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kryetarët e bashkive të qarkut të Kukësit, ku në fokus ishte funksionimi i reformës territoriale, kompetencat e pushtetit vendor, financat vendore dhe organizimi territorial.

Bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku, tha se diskutimet janë përqendruar në tre shtylla kryesore.

“Kategoria e parë lidhet me kompetencat që ligji i jep bashkive, për qartësinë e këtyre kompetencave dhe problematikat që mund të kenë në zbatim. Kategoria e dytë lidhet me financat vendore, të ardhurat e bashkive dhe grantet e qeverisë, si dhe mënyrën se si mund të përmirësohen financat dhe ekonomia vendore. Elementi i tretë lidhet me territorin dhe qeverisjen e tij”, u shpreh Mazniku.

Ndërsa bashkëkryetari tjetër i komisionit, Luçiano Boçi, deklaroi se çështja më e rëndësishme mbetet territori.

“Tema më e nxehtë është tema e territorit. Çdo gjë është e lidhur me territorin, funksionaliteti, kompetencat, shërbimet, autonomia dhe demokracia, janë të lidhura me territorin”, tha Boçi.

Gjatë seancës dëgjimore, kryetarët e bashkive të qarkut Kukës duke iu përgjigjur deputetëve, paraqitën vlerësimet dhe problematikat e tyre lidhur me reformën territoriale të vitit 2015.

Kryetari i bashkisë Kukës, Albert Halilaj, tha se reforma ka sjellë përmirësim të shërbimeve publike dhe se ndarja aktuale territoriale duhet të mbetet e pandryshuar.

“Reforma territoriale e vitit 2015 ka në fokus shërbimin ndaj qytetarëve. Fokusi i shërbimeve është i përqendruar tek strukturat e bashkisë dhe është shumë mirë në lidhje me shërbimet publike. Bashkitë në qarkun e Kukësit janë të përfaqësuara denjësisht dhe besoj se është shumë mirë të jetë me të njëjtën ndarje territoriale, e cila është implementuar në vitin 2015″, tha ai.

“Në lidhje me menaxhimin e taksave, besoj ka nevojë për përmirësime. Një ndër problematikat për bashkitë e vogla është digjitalizimi i bashkive. Nëse duhet të jetë sistemi i taksave në Has, Kukës dhe Tropojë në një sistem, do të ishte më mirë dhe më eficient për menaxhimin e taksave”, tha Halilaj.

Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, vlerësoi investimet dhe zgjerimin e shërbimeve në territor, por ngriti shqetësimin për mungesën e disa shërbimeve në Tropojë.

“Sot Tropoja ka ndryshuar në gjithçka. Shërbimet janë shtrirë në gjithë rrethin e Tropojës. Problemi që na shqetëson ne është se kemi probleme me Kadastrën, pasi çdo shërbim duhet të merret në Kukës ose edhe kolaudimi i makinave, ky shërbim duhet të kthehet në Tropojë”, tha Byberi.

Kryetari i bashkisë Has, Miftar Dauti, tha se reforma ka nevojë për përmirësime, por vlerësoi se ndarja aktuale territoriale i përshtatet qarkut të Kukësit.

“Ka nevojë për përmirësime. Sipas mendimit tim, mendoj se jemi munduar me ato kompetenca që kemi t’u gjendemi sa më afër qytetarëve me shërbime. Nga ana e ndarjes territoriale, besoj se qarku i Kukësit ka identitetin e vet dhe mendoj se kjo ndarje i përshtatet qarkut të Kukësit”, tha Dauti.