AKTUALITET, 30 Mars 2025, 17:02

Rama takon shqiptarët në Athinë: Do të vij pas zgjedhjeve sërish, me votat tuaja duam të vrapojmë së bashku për anëtarësimin në BE

Rama takon shqiptarët në Athinë: Do të vij pas zgjedhjeve

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Athinë, për të takuar shqiptarët e Greqisë.

Në nisje të fjalimit të tij, Rama falënderoi të gjithë emigrantët që shkuan sot ta takonin atë, ndërsa uroi festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Teksa kërkoi votën e tyre për zgjedhjet 11 majit, Rama tha se do të kthehet sërish në Athinë pas zgjedhjeve për t’i falënderuar emigrantët.

"Shumë mirënjohës për praninë tuaj masive këtu edhe pse në një ditë pushimi dhe dua që të gjithë atyre mes jush apo të gjithë ata që janë pjesë e komunitetit të shqiptarëve të Greqisë që i përkasin besimit myslimanë ti uroj gëzuar këtë ditë të bukur të Bajramit.

Do vij pas zgjedhjeve, por pas zgjedhjeve do vijmë të bëjmë një feste të madhe falënderimesh për të gjithë ju dhe do vij për t’ju thënë që ne nuk i deshëm votat tuaja për të marrë 4 vite më shumë ulur në karrige por me votat tuaja ne duam të vrapojmë se bashku për të realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve që të jenë pjesë e BE"- tha Rama.

Më tej Rama citoi një taksist që tha se e kishte takuar para se të vinte.

"Një taksist më tha që ‘kur erdhëm ishim 100 shkallë më poshtë se këta këtu, sot jemi një shkallë larg tyre. Jemi gati për ta ngjitur dhe për t’u bërë njësh me të gjithë evropianët e tjerë, duke u ulur në sofrën e përbashkët të familjes së bashkuar evropiane. Më vjen mirë që sot që kemi ardhur këtu jemi në gjendje të ndajmë jo vetëm atë që kemi bërë për ta ngritur Shqipërinë aty ku nuk kemi qenë asnjëherë, por për ta ngritur në një pikë ku ëndrrat dhe shpresat nuk duken më aq të paarritshme sa dukeshin dikur. Ndryshe nga koha kur morëm detyrën, sot Shqipëria është një vend që e ka në dorë fatin e vet. Sot, fati ynë është në dorën tonë. Kur e morëm ne qeverinë, kishte një borxh rreth 80%, shërbimet kishin ndalur për shkak të borxheve të panumërta që qeveria nuk u paguante më. Të gjitha ato planet e Shqipërisë së rrugëve kishin mbetur rrugëve, u ishin prerë shiritat, por nuk u ishin dhënë paratë. Kur morëm detyrën, paga mesatare ishte 370 euro, ndërkohë që sot, me vitin 2024 të mbyllur me pagën mesatare në sektorin publik 1000 euro, e shohim me shumë optimizëm mandatin e katërt. Për ata që duan të kthehen, por ende ngurrojnë se janë të pasigurt, unë ju them se kush ka kurajon të kthehet sot, do të ketë më shumë se sa do të ketë duke qëndruar këtu. Ju me siguri dëgjoni ata që na përqeshin, që bazohen te pasqyrat e moçaleve, që fatkeqësisht edhe ju jeni të detyruar t’i shihni kur hyni në ekranet e telefonave tuaj për të marrë lajme nga Shqipëria".