AKTUALITET, 8 Shkurt 2023, 15:03

"Patronazhisti, patronazhisti, po kërdinë e bo aktivisti"/ Rama mbron aplikacionin për administratën: PS, shumë hapa përpara kundërshtarëve të dëshpëruar

"Patronazhisti, patronazhisti, po kërdinë e bo aktivisti"/

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të mekanizmit me anë të të cilit funksionon aplikacioni i Partisë Socialiste “Aktivisti” dhe të dhënat e përdoruesve të tij. Rama shkruan se PS do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen dhe manipulimin e të dhënave ndërsa shton se çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi PS i rrit socialistëve dëshirën për të ecur të sigurt drejt fitores me datë 14 Maj.

“Partia Socialiste do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të saj, i cili është lehtësisht i verifikueshëm si një mekanizëm komunikimi i brendshëm mbi bazën e vullnetarizmit të çdo përdoruesi.

Çdo përpjekje e dëshpëruar propagandistike për të hedhur edhe më shumë baltë mbi PS thjesht na rrit dëshirën dhe na forcon vullnetin tonë në rrugën e një fitoreje tjetër kuptimplotë, më 14 maj, kur falë edhe rrjetit tonë social të aktivistëve Partia Socialiste do të jetë shumë hapa përpara kundërshtarëve të çoroditur e të dëshpëruar”, shkruan Rama.

Aplikacioni “Aktivist” u prezantua nga Partia Socialiste në prill të vitit të shkuar. Në atë kohë, u njoftua se pjesë e atij aplikacioni mund të bëhej çdo person e jo vetëm anëtarët e Partisë Socialiste.

Në lidhje me këtë aplikacion, opozita ka hedhur akuza ndaj Partisë socialiste dhe ka kërkuar hetim nga SPAK. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Jola Hysaj, u shpreh me 6 Shkurt, se punonjësit publike janë urdhëruar që të shkarkojnë aplikacionin dhe të pëlqejnë apo shpërndajnë postimet e ministrave të qeverisë.

Një muaj më parë, Rama u shfaq në një video në Instagram i rrethuar nga një grup socialistësh duke thënë “Patronazhisti është ç’është, po aktivisti…”.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Edi Rama (@ediramaal)

Platforma elektronike, në dukje është një aplikacion i rëndomtë që bën bashkë anëtarët e një partie politike. Por realisht po përdoret për t’i detyruar punonjësit e administratës shtetërore të bëhen pjesë e aktivizmit politik të Partisë Socialiste nëpërmjet pëlqimeve, shpërndarjeve dhe komenteve në postimet e kryeministrit Rama, ministrave dhe kreut të bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj.

Çdo punonjës i administratës fillimisht detyrohet të krijojë një profil për përdorimin e aplikacionit.

Në aplikacion janë të postuara në mënyrë kronologjike mesazhet më të fundit që Rama, Veliaj dhe ministrat kanë bërë në rrjetet sociale për të cilat kërkohet sa më shumë interaktivitet.

Në bazë të komenteve, të shpërndarjeve apo të pëlqimeve që një përdorues bën në postimet e Ramës, Veliajt dhe ministrave, ai vlerësohet nëpërmjet një sistemi pikëzimi.

Sa më shumë pëlqime, shpërndarje dhe komente, aq më shumë pikë fiton përdoruesi. Sa më shumë pikë në aplikacion, aq më shumë vlerësohet punonjësi në dikasterin e administratës ku punon.

“Aktiv1st mbështetet tek një sistem pikëzimi, i cili ndërveprimet me platformen on-line i përkthen në vlerësim të pasqyruar në “leaderboard”, sipas të cilit do të vlerësohen dhe individët, të cilët shfaqin më shumë iniciativë” thuhet në prezantimin e platformës në Google Play dhe App Store.
Nëse aplikacioni do të përdorej thjesht nga antarët e Partisë Socialiste, pëlqimet/shpërndarja dhe komentet do t’i liheshin vullnetit të tyre të lirë.

Por kjo nuk mjafton, sepse sistemi i pikëzimit duhet për të kontrolluar punonjësit e administratës shtetërore.

“Nëse pikët e grumbulluara në aplikacion janë të pakta, vjen një thirrje nga burimet njerëzore, shoqëruar me vërejtje verbale” tha për Lapsi.al një punonjës i administratës që kishte refuzuar deri tani përdorimin e aplikacionit.

Ndërkohë një tjetër, punonjës i Bashkisë së Tiranës rrëfeu se gjatë orëve të mbrëmjes merrte rregullisht mesazhe apo telefonata nga drejtues të ngarkuar me monitorimin e pëlqim/shpërndarje dhe komentet për postimet e Veliajt në rrjetet sociale.

Më parë monitorimi i punonjësve të administratës në rrjetet sociale bëhej manualisht. Tashmë aplikacioni “Aktiv1st” e bën më të thjeshtë presionin për të pabindurit, të cilët do të kenë pak pikë në aplikacion.