TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas “furtunës” që preku disa bashki ku u dorëhoqën nënkryetarët, drejtorët dhe krerët e njësive administrative, radha i erdhi edhe Tiranës, Bashkisë më të madhe.
Burime për BalkanWeb bëjnë të ditur se kryeministri Edi Rama ka kërkuar sot në mbledhjen që zhvilloi me drejtuesit politikë dhe ata vendorë të Qarkut, rifreskimin e Bashkisë së Tiranës.
Mësohet se kreu i qeverisë ka kërkuar hapjen e garës për nënkryetarët e rinj të bashkisë. Por nënkryetarët aktualë nuk janë përjashtuar. Detaji interesant është se pritet të caktohen 5 nënkryetarë të rinj. Këta të fundit do të kalojnë përmes një procesi seleksionimi me vlerësim bazë meritokracinë.
“Kemi marrë 83 mandate, janë një peshë e madhe për ne! Janë bekim, por edhe mallkim ndaj duhet një lidership i ri ekzekutiv në bashkinë e Tiranës”, është shprehur Rama duke këmbëngulur të punohet më shumë, më shpejt dhe të dëgjohet në mënyrë sistematike zëri i qytetarëve.
Rama ka caktuar një grup të përbërë nga Ogerta Manastirliu, Blendi Gonxhe dhe Petrit Malajn do të përzgjedhin 5 nënkryetarët e rinj të bashkisë, nga katër që janë aktualisht.
Këta të fundit nuk janë të përjashtuar nga mundësia për t’u rizgjedhur, por shanset janë të pakta.
Numri një i Partisë Socialiste ka thënë se punët e pushtetit vendor nuk mund t’i bëjë qeveria dhe për këtë arsye kërkohet lidershipi i ri në kryeqytet, ndërsa kreu aktual i bashkisë Erion Veliaj ndodhet në burg.
Sa i përket mundësisë për zgjedhjet të reja në bashkinë e kryeqytetit, mësohet se kryeministri nuk ka marrë ende një vendim, duke ia lënë të ardhmes.
Por nga ana tjetër mësohet se reformimi nuk prek Anuela Ristanin e cila ushtron detyrën e Kryetares së Komanduar të Bashkisë së Tiranës. Ristanit mësohet se Rama i ka lënë detyrë dixhitalizimin e Bashkisë, si dhe drejtimin e punës për adoptimin e një strukturë të re organizative në Bashkinë Tiranë, e cila është konceptuar në bashkëpunim me Institutin “Tony Blair”, dhe që adoptohet edhe në bashki të tjera.
Përzgjedhja e nënkryetarëve të rinj do të bëhet nga një grup pune i cili kryesohet nga ministrat dhe deputetët e Qarkut të Tiranës, Blendi Gonxhja, Ogerta Manastirliu dhe Petrit Malaj. Këta do të zhvillojnë intervista me kandidatët për nënkryetarë.
Aktualisht, nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës janë Andi Seferi, Frida Pashako, Keti Luarasi dhe Jonida Halili. Gjatë takimit të sotëm është rënë dakord që nënkryetarëve në detyrë t’u krijohet hapësira në mënyrë që ata të riaspirojnë pozicionin, por me një platformë konkrete lidhur me vizionin e tyre sa i takon specifikave të administrimit të kryeqytetit.