AKTUALITET, 22 Mars 2025, 17:59

"Rama ka fryrë administratën para zgjedhjeve me 400 patronazhistë", Blushi paralajmëron: Kujdes me firmat, do mbani përgjegjësi!

"Rama ka fryrë administratën para zgjedhjeve me 400

Partia e Lirisë denoncoi sot fryrjen e administratës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi tha se shtimi i numrit të punonjësve në sektorin publik është bërë për shfrytëzimin e vendeve të punës për të kontrolluar votën dhe procesin zgjedhor.

“Fryrja e paligjshme dhe politike e administratës publike, me rreth 4000 patronazhistë, në prag të zgjedhjeve të 11 Majit, është një krim i shëmtuar elektoral”, tha Blushi.

“Ky shtim i panevojshëm i numrit të punonjësve në sektorin publik në limitet e sanksionuara nga Kodi Zgjedhor,  nuk ka patur asnjë arsye funksionale apo shërbimi, por vetëm një objektiv të qartë: shfrytëzimin e vendeve të punës për të kontrolluar votën dhe procesin zgjedhor të 11 Majit”, u shpreh Blushi.

Blushi theksoi se “11 Maji do të kthehet në një referendum mbarëpopullor për të çliruar njëherë e përgjithmonë administratën publike nga fuksat dhe patronazhistët dhe për ta kthyer shtetin vetëm në shërbim të qytetarit”.

“Partia e Lirisë u bën thirrje të gjithë punonjësve të shtetit, të jenë shumë të kujdesshëm, të mos shkelin ligjin dhe të mos u binden verbërisht urdhrave të paligjshëm politikë për të firmosur shkresa dhe akte korruptive sepse do të marrin më qafë veten e tyre!”, tha Blushi.

Sipas Blushit “çdo punonjës i administratës, duhet të respektojë me rigororiztet statusin e nëpunësit civil dhe të mos lejojë asnjë drejtor apo ministër ta përdorë si vegël për nënshkrimin e akteve të paligjshme apo favorizimin e proceseve të pandershme”.

“Çdokush që shkel ligjin dhe Kushtetën do të mbajë përgjegjësi personale”, tha Blushi.