TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Instituti i statistikave konfirmoi se gjatë muajve korrik- gusht- shtator pagat në ekonomi u rritën më tej duke bërë që paga mesatare bruto të arrijë në 77 mijë lekë, nga 75 që ishte në tremujorin e dytë.
Kjo rritje ka ardhur nga paga në shtet, e cila arriti në 96 mijë lekë apo 15 % më shumë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa ritmet e rritjes së pagave në privat ishin më të ngadalta duke bërë që paga mesatare të arrijë në 69 mijë lekë në muaj apo 5.4% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Për të diskutuar më shumë për rritjen e pagës mesatare, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi ishte eksperti i ekonomisë Mateo Spaho.
Z.Spaho tha se rritja e pagave ndodh falë rritjes së të ardhurave në shtetin shqiptar.
Eksperti i ekonomisë u shpreh se shteti dhe privati konkurrojnë në disa sektorë, por jo në të gjithë
Intervista e plotë:
Burime zyrtare konfirmojnë se ekonomia po performon mirë, duke ecur me rreth 720 milionë euro më shumë krahasuar me një vit më parë të ardhurat në arkën e shtetit. Rrogat në sektorin shtetëror po afrojnë 1 milion euro në muaj, bruto. Falë cilit apo cilëve faktorë ndodh një gjë e tillë?
Spaho: Falë rritjes së të ardhurave nga shteti shqiptar. Në vitin që po përfundojmë kemi pasur rritje të konsumit, por edhe të të ardhurave të tjera. Kemi pasur rritje të prezencës turistike. Në tremujorin e parë ka qenë 30% më lart në raport me vitin e kaluar. Po aq mirë ka ecur edhe sektori i ndërtimeve dhe “Real Estate” në qytetet e mëdha dhe bregdet, gjë që ka rritur të ardhurat e shtetit shqiptar, si dhe të bashkive dhe shtetit qendror. Kjo ka ndikuar në rritjen e punësimit dhe ka garantuar një nivel të mirë të konsumit, por edhe të shpenzimeve të tjera. Pse flas për nivel konsumimi? Sepse taksa kryesore, TVSH-ja, që është 20% e vlerës së një produkti, është tatimi kryesor që mbush buxhetin e shtetit. Pastaj vijnë taksat e tjera.
Sektori shtetëror po e çon pagën mesatare rreth 1 milion euro në muaj. Dëgjuam thirrjen e ministrit për sektorin privat që të rrisin dhe ata rrogat. Sa gjasa ka të merret parasysh dhe çfarë interesash ka sektori privat? A ka ndonjë mekanizëm që do ta pengonte apo ta nxiste një hap të tillë?
Spaho: Duhet të sqarojmë një gjë, shteti dhe privati konkurrojnë në disa sektorë, por jo në të gjithë. Nuk kemi ndërmarrje shtetërore që prodhojnë, nuk kemi ndërmarrje në bujqësi. Privati është ai që prodhon. Në një ndërmarrje trikotazhi është e pamundur të imagjinojmë një pagë 1 mijë euro, pasi do flisnim për modë të nivelit të lartë. E njëjta gjë vlen edhe për dyqanet, dhe për profesionet e tjera që nuk lidhen me prezencën e një diplome. Duhet të kemi kujdes kur bëjmë këto krahasime. Një pjesë e mirë e punëve që privati merr përsipër të bëjë, nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me shtetin shqiptar. Po të shohim shërbimet e kualifikuara, privati ka arritur një tendencë rritëse. Mesatarja është 5.4%, por tendenca është edhe më e lartë në shërbimet e caktuara, si ato financiare, universitetet private, ose te personat që janë profesionistë të lirë, si avokatët, noterët apo ofruesit e shërbimeve të ndryshme.
Papunësia është te pragu i 10%. Gjithmonë Shqipëria ka pasur 16%, 17%, madje në kohë të tjera edhe 20%. Kujt i dedikohet një prag kaq i ulët, një nivel kaq i ulët i papunësisë?
Spaho: Ka disa faktorë që duhen sqaruar. E para, kemi më pak të rinj. Kjo ndodh për dy arsye kryesore, numri i lindjeve ka rënë, dhe sot ka më shumë mundësi për të emigruar. Elementi i dytë është që nga viti 1998 e këtej Shqipëria ka pasur rritje të biznesit, të ndërmarrjeve dhe progres ekonomik në 25 vitet e fundit, gjë që ka bërë që gjithmonë e më shumë shqiptarë të jenë të punësuar. Papunësia reale është edhe më e vogël se 10%, pasi kemi edhe punë të padeklaruar. Ekziston një papunësi që nuk mund të zvogëlohet më tej. Për shembull, nëse unë banoj në Kukës dhe ka një vend pune në Gjirokastër apo Himarë, ndoshta nuk ja vlen të marr atë vend pune. Pra, dua të them që jo gjithmonë tregu është i lidhur siç duhet. Nëse do të kishim një efikasitet më të lartë në luftën kundër informalitetit, papunësia reale do të ishte 6% ose 7%. Ata që kërkojnë punë në Shqipëri nuk e kanë të vështirë ta gjejnë.