TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Komisioni i Venecias miratoi opinionin mbi projekt-ligjin për Financimin e Partive Politike. Dokumenti prej 38 faqesh përmban një analizë të detajuar për të gjitha nenet e këtij projektligji. Ekspertët vlerësojnë draftin por kanë bërë vërejtje për shumicën e neneve duke kërkuar marrjen e më shumë masave për të kontrolluar se nga i marrin paratë forcat politike, duke marrë parasysh nivelin e ekonomisë informale në vendin tone.
Komisioni i Venecias: Një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri vazhdon të funksionojë përmes transaksioneve me para në dorë dhe mekanizmave të tjerë informalë. Në këtë kontekst, projektligji nuk adreson në mënyrë të mjaftueshme financimin e fshehtë politik dhe as nuk krijon mekanizma efektivë parandalues dhe monitorues të përshtatur për realitetin shqiptar.
Ekspertët e Venecias kërkojnë që në vitet kur ka zgjedhje, partitë të raportojnë edhe para edhe në përfundim të fushatës.
Komisioni i Venecias: Është praktikë e mirë të kërkohen raporte përpara fillimit të fushatës; raporte që u japin organeve mbikëqyrëse dhe publikut informacion paraprak mbi të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës së partive dhe kandidatëve ditë para ditës së zgjedhjeve; si dhe raporte përfundimtare pas zgjedhjeve dhe certifikimit të rezultateve, për të siguruar një pasqyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse të financimit të fushatës zgjedhore.
Sipas ekspertëve të Komisionit të Venecias nga fondet e buxhetit duhet të përfitojnë edhe partitë joparlamentare.
Komisioni i Venecias: Në kontekstin politik të Shqipërisë, i cili dominohet nga dy partitë kryesore, mund të jetë e këshillueshme të rritet aksesi në financimin publik për garuesit më të vegjël, përfshirë edhe ata që ende nuk janë të përfaqësuar në Parlament.
Mazhoranca synon që ta miratojë projektligjin për Financimin e Partive Politike deri në fund të muajit korrik pasi është një prej kërkesave të Brukselit në procesin e negociatave për anëtarësim ne BE. Komisioni i Reformës Zgjedhore ka marrë edhe një opinion nga ekspertët e ODIHR e tani pritet që PS e PD të ulen për të reflektuar vërejtjet e tyre.